Projektligji për amnistinë për të dënuarit sipas profesionistëve të ligjeve ka disa mangësi apo gabime, të cilat duhet të riparohen para miratimit të tij.
Avokati Arben Lena thotë se në të gjithë botën e drejta e amnistisë është për të dënuarit që kanë një vendim të formës së prerë deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë dhe jo një datë e përcaktuar siç është 30 qershori në propozimin shqiptar.
“Të gjitha amnistitë që bëhen në çdo vend të botës, statusin e përfitimit nuk e marrin ata që sipas projektit të kësaj amnistie quhen të dënuar në datën 30 qershor, por të gjithë ata që kanë një vendim të formës së prerë në datën që hyn në fuqi amnistia,” thotë z. Lena, kryetar i Dhomës Rajonale të Avokatisë Korçë.
Të paqarta për avokatin janë edhe veprat penale që përfitojnë nga amnistia.
“Ndërkohë që ne përgatitim një Kod Penal ku mbajtja e lëndëve narkotike, paragrafi i parë, dekriminalizon dhe ul dënimin për sasi të vogla, për sasi të mëdha ulet dënimi minimal deri në dy vjet, kjo amnisti nuk e përfshin atë vepër penale,” shton z. Lena.
Për të arritur në miratimin e një amnistie për të burgosurit do të duhet konsensus i të gjitha forcave politike që janë në parlament, pasi një ligj i tille miratohet vetëm me 3/5 ose me 84 vota.
The post Projektligji i amnistisë për të dënuarit, Dhoma e Avokatisë Korçë flet për mangësi dhe keqformulime appeared first on .