TIRANE- Banka e Shqipërisë në konferencën me temë “Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë”, ka prezantuar “Strategjinë për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar, për vitet 2023-2025”, e cila ofron masa konkrete që duhet të ndërmerren për të përballuar ndryshimet klimatike.
“Dokumenti strategjik paraqet edhe masa konkrete për përgatitjen tonë ndaj sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive që krijon menaxhimi i rreziqeve klimatike. Strategjia ofron një plan veprimi për të identifikuar, monitoruar dhe menaxhuar rreziqet e lidhura me klimën, duke siguruar kështu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar. Krahas implementimit të strategjisë klimatike, do të vazhdojmë dhe rrugën drejt modernizimit dhe digjitalizimit të tregut e sistemeve të pagesave. Këto nisma do të shërbejnë njëherazi si shtysë në përpjekjet tona drejt mbledhjes së të dhënave të mjaftueshme dhe ndërtimit të modeleve empirike, por dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet e lidhura me klimën brenda ekosistemit tonë financiar”, u shpreh Sejko në konferencë me Bankën Botërore.
Guvernatori Gent Sejko në konferencë me përfaqësuesit e Bankës Botërore u shpreh se rreziqet që vinë nga ndryshimet klimatike janë më të prekshme për 3 sektorë kryesor të ekonomisë.
“Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një kërcënim të largët, por janë realiteti ynë i tanishëm, i shprehur nëpërmjet ngjarjeve të paparashikuara të motit, probabiliteteve të rritura dhe të intensifikuara të fatkeqësive natyrore dhe deri në rritjen e impaktit negativ në bujqësi, turizëm dhe infrastrukturë”, tha Sejko.
Guvernatori ju bëri thirrje bankave në vend që të jenë të përgatitura për sfidën që paraqet klima për sistemet financiare.
“Ndryshimet klimatike ushtrojnë presion të konsiderueshëm edhe në stabilitetin e sistemeve tona financiare. Është mëse e qartë që sektori ynë financiar nuk mund të operojë i izoluar nga këto sfida. Ndërsa synojmë t’i bëjmë aktivitetet tona të qëndrueshme dhe të mbrojmë stabilitetin financiar, ne nuk duhet dhe nuk mund të neglizhojmë praninë e rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Sektori bankar, si gur themeli i ekonomisë sonë, duhet të rrisë rezistencën jo vetëm ndaj goditjeve financiare tradicionale, por edhe ndaj forcës të paparashikuar të fenomeneve klimatike. Për të vazhduar rrugën e rritjes së qëndrueshme, bankat tona duhet të menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që lidhen me klimën dhe të realizojnë investime që përputhen me përgjegjësinë mjedisore për të ruajtur ekosistemet, mikroklimat dhe burimet e tjera jetësore në nivel vendi”, tha Sejko.
Ndërsa drejtori i Bankës Botërore për Shqipërinë Emanuel Salinas tha se Shqipëria duhet të rrisë investimet për të përballuar rreziqet natyrore, ndërsa sektori i turizmit, bujqësisë dhe infrastrukturës duhet të parapërgatitet për të zbutur ndikimet negative.
“Shqipëria është mjaft e ekspozuar nga ndryshimet klimatike. Ky ndryshimi i klimës do të vij duke u forcuar dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këto ndryshime që na prekin. Ne duhet të përdorim instrumentet financiar dhe kapacitetet për tu siguruar që kemi bërë investimet e mjaftueshme për ti bërë ballë këtyre rreziqeve. Shqipëria e ka ruajtur stabilitetin financiare pas goditjeve që ka marrë. Turizmi, infrastruktura dhe bujqësia duhet të ndërgjegjësohen dhe të jenë më aktiv përballë ndryshimeve klimatike për të zbutur sa më shumë ndikimet negative”, tha drejtori i Bankës Botërore për Shqipërinë Emanuel Salinas.
The post BSH prezanton strategjinë për menaxhimin e rreziqeve klimatike në sektorin financiar! Banka Botërore: Investoni për të ulur ndikimin negativ appeared first on .