Qeveria shqiptare ka hartuar ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile”. Nisma e cila është punuar në Ministrinë e Brendshme, synon deklarimin e vendbanimit të të të gjithë shtetasve shqiptarë, që jetojnë në Shqipëri, por edhe ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit e që mbajnë shtetësinë shqiptare. Ndryshimi i propozuar sjell kontrollin dhe verifikimin e banesave, thënë ndryshe është një vetting i vendndodhjes së pronave të paluajtshme të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërie.
Në nenin 4, të projektligjit parashikohet ndryshimi i dispozitës për nenin 14 të ligjit “Deklarimi i vendbanimit”, ku parashikohet detyrimi i shtetasve për deklarimin e adresës së çdo banese që ka në pronësi brenda ose jashtë vendit, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit duke zgjedhur ndër to vendbanimin e tij. Ky nen përcakton detyrimin e çdo qytetari shqiptar për deklarimin e të gjitha adresave të banesave që ka në pronësi, dhe të përcaktojë mes tyre vendbanimin e tij.
Në pikën 2 të dispozitës së propozuar përcaktohet se shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet për qytetarët vetëm pasi të respektojnë detyrimin e mësipërm, pra të deklarojnë adresën e çdo banese në pronësi.
Neni 5 i nismës parashikon se regjistrimi fillestar i vendbanimit, bëhet në zyrën e gjendjes civile të njësisë administrative që ka në juridiksion territorial banesën e deklaruar si vendbanim, duke përcaktuar njëkohësisht se shtetasi nuk mund të deklarojë më shumë se një vendbanim njëherazi.
Po ashtu, parashikohet ndryshimi i vendbanimit që ka në juridiksion territorial vendbanimin e ri, jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim, duke përcaktuar se i njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e vendqëndrimit.
Gjithashtu përcaktohet se një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një familjeje tjetër vetëm kur plotësohen standardet e sipërfaqes së banimit për frymë.
Sipas relacionit që shoqëron nismën ligjore, ky proces i shërben zgjidhjes së problematikave të evidentuara për ceshtjet e adresave të shtetasve.
The post Qeveria “vetting” qytetarëve të vendit dhe emigrantëve: Të tregojnë pronat kudo ku i kanë, që të marrin shërbime appeared first on .