Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 0-0 kundër Ishujve Faroe për ndeshjen e fundit në grupin E kualifikues të Euro 2024 në “Air Albania”. Paçka fitores 3-0 të Çekisë kundër Moldavisë, kuqezinjtë e mbyllin garën si të parët në grupin E duke lënë pas Çekinë vetëm nga golavarazhi, pasi dy skuadrat kanë nga 15 pikë. Shqipëria dhe Çekia janë skuadrat që kalojnë më tej në finalet e “Gjermani 2024”.
Në mesin e fraksionit të parë, mysafirët nga Ishujt Faroe ndërmorën iniciativën për të sulmuar, duke rrezikuar të pësojnë gol nga një kundërsulm. Në fund, ekipi i Sylvinhos shtoi presionin, Bajrami provoi nga distanca, ndërsa në shtesë portieri i mohoi golin Dakut.
Në të 55-tën, Bjartalid për pak sa nuk surprizoi Strakoshën, me topin që shkoi shumë pranë portës. Pak më vonë, Asani provoi të zgjidhë vetë ndeshjen me goditjet tipike të tij, pa ia dalë dot. Pavarësisht ndryshimeve të teknikut, djemtë tanë nuk siguruan dot 3 pikëshin. Kështu, përfundimisht jemi të parët me 15 pikë, ndërkohë që ekipi tjetër që shkon në Europian është Çekia, pas suksesit 3-0 me Moldavinë.
Tanët e kishin siguruar kualifikimin tre ditë më parë pas barazimit 1-1 në Moldavi dhe trajneri Sylvinho ia lejoi vetes që në përballjen me Ishujt Faroe të bënte pesë ndryshime në formacionin titullar, krahasuar me ndeshjen e pak ditëve më parë.
Kjo është ndeshja e dytë që tanët luajnë kundër Ishujve Faroe. E para u zhvillua më 20 qershorin e këtij viti, po për grupin E, ku kuqezinjtë fituan 1-3. Ndeshjen e sotme e gjykon gjermani Sven Jablonski.
The post Kombëtarja ‘fal’ Ishujt Faroe, vetëm 0-0 në ‘Air Albania’! Tifozët spektakël në tribuna, Shqipëria e mbyll e para në grupin E appeared first on .