E përditshmja britanike “Daily Express” ka kryer një sërë intervistash në Shqipëri me qytetarë të cilët historia i lidh ngushtë me emigrimin e të rinjve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Së fundmi ajo ka publikuar një intervistë me një baba shqiptar, i cili me zemër të thyer përshkruan ankthin që ndjen pasi djali i tij la diplomën e universitetit për të shkuar e për të punuar në një fermë droge në Mbretërinë e Bashkuar.
Gazeta britanike ka vendosur ta quajë babain shqiptar të intervistuar “Eduard” për të mos zbuluar identitetin e tij të vërtetë.
Në rrëfimin e tij ai tregon se fillimisht, i biri e gënjeu sa i takon asaj që do të bënte në Britani.
“Do punoj ndoshta në një restorant sepse di Anglisht”, i tha ai të atit, “e pastaj të shohim si shkon”.
Ishte një vendim i rëndësishëm. I biri po hiqte dorë nga universiteti në Shqipëri, kur i kishte mbetur vetëm një vit për të përfunduar nga dega e Ekonomikut.
“Im bir nuk fliste kurrë për gjëra të tilla, nuk ishte në qëllimet e tij. Vetëm kur papritur një ditë tha se donte të largohej”, shpjegon i ati në një intervistë ekskluzive për britaniken Express.
Një moment që kishte mbërritur në Francë, i riu rrëfeu të vërtetën; po kalonte Kanalin me varkë të vogël për të punuar në një fermë kanabisi në Angli.
“Kur e zbulova ishte tepër vonë, më ra tavani mbi kokë”, tregon Eduardi duke ulur kokën, e me sytë më lot.
“Më tha se i duhej puna për të bërë para. Më tha se nëse e mbaron universitetin këtu nuk përbën ndryshim, pasi mund të punosh vetëm si kamarier”.
“Në Shqipëri nëse do të gjesh një punë të mirë, të duhen njohje, ose duhet të paguash para për të kapur vendin e punës. Kështu funksionojnë gjërat për shkak të korrupsionit”, thotë Eduardi.
Ndonëse i dinte vështirësitë, kjo nuk e bëri më të lehtë që të pranonte vendimin e të birit
“Trembem sa herë dëgjoj një histori nga Londra, vetëm aty më rri mendja”, vijon ai, teksa rrëfen disa prej historive që ka dëgjuar.
“Disa po punonin në një nga këto fermat e drogës dhe papritur një natë disa njerëz u përpoqën të futeshin brenda. Ishte tmerr, ata po i vrisnin. Kam dëgjuar po ashtu sesi kur policia bastis banesat, punëtorët duhet të dalin jashtë dhe disa flenë rrugëve. Ndaj i kam thënë tim biri gjatë gjithë kohës se nuk është punë për të, por ai vijon të më thotë se i duhet pak kohë, sa të bëjë ca para”.
Eduardi e telefonon të birin çdo ditë, ndërkohë që i riu kujdeset për një sasi të madhe bimësh kanabisi. Por biseda nuk është kurrë e lehtë.
“Më thotë se nuk mund të flasë shumë me mua në telefon sepse nuk do që të dëgjohet nga fqinjët. Do të heshtë për shkak të punës”, thotë Eduardi.
Si pjesa më e madhe e punëtorëve nëpër fermat e kanabisit, i riu shkoi në Mbretërinë e Bashkuar me varkë. Rruga e futi në borxhe me trafikantët, ndonëse babai i tij thotë se tanimë e ka shlyer borxhin.
Ai fajëson mediat sociale si nxitëse për interesin e papritur të të birit për këtë lloj pune.
“Mendoj se u influencua nga mediat sociale, ose njerëzit. Është influenca e miqve të tij sepse ata i dërgonin gjatë gjithë kohës mesazhe duke i thënë hajde këtu, puno me ne dhe bëj para”.
Ky prind i shqetësuar di të paktën 3-4 raste të familjeve të tjera, djemtë e të cilëve ende pa mbushur 18 vjeç kanë udhëtuar drejtë Britanisë për të punuar në fermat e kanabisit, shkruan Express.
Duke ditur se i biri ka ngecur në një punë të jashtëligjshme në një tokë të largët, ai ka frikë për jetën e tij, gjatë gjithë kohës.
“I kam kërkuar të kthehet në shtëpi, sepse ndoshta një ditë mund të vritet nga ata që mund t’u futen në shtëpi. Vijoj t’i përsëris që të ndryshojë mënyrën sesi e sheh jetën dhe punën”, rrëfeu më tej babai shqiptar për median britanike.
The post “Kur e zbulova, tavani më ra mbi kokë”- Rrëfimi i babait shqiptar për gazetën britanike: Im bir la Universitetin për të punuar në një fermë kanabisi në Angli appeared first on .