Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha më 27 nëntor se do të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që do mbahet në në Maqedoninë e Veriut, nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore për fluturimet ruse.
“Me sa duket, Bullgaria i ka premtuar Maqedonisë [së Veriut] se do të hapë hapësirën e saj ajrore. Nëse kjo ndodh, atëherë ne do të jemi atje. Le të shohim”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë.
Lavrov tha se disa vende perëndimore kishin kërkuar tashmë takime me të.
“Nëse dikush na afrohet, ne kurrë nuk ikim apo fshihemi”, u shpreh shefi i diplomacisë ruse.
Por, nga Shkupi thanë se nuk kanë pranuar ndonjë zotim nga Sofja që Lavrovit t’i lejohet fluturimi në hapësirën ajrore bullgare.
“Maqedonia e Veriut nuk ka pranuar asnjë premtim nga Bullgaria që Sofja do të hapë hapësirën e saj ajrore për avionin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që ai të marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup. Bullgaria ose Greqia duhet të vendosin nëse njëra prej tyre do të heqë sanksionet për fluturimet ruse apo të lejojë vetëm avionin e Lavrovit të fluturojë në hapësirën e tyre”, thanë për Radion Evropa e Lirë burime nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Paraprakisht, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të heqë ndalesën e fluturimit të avionit rus që do të lejonte pjesëmarrjen e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup.
Të shtunën, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se është duke negociuar me Bullgarinë dhe Greqinë për të lejuar fluturimin e delegacionit rus.
Ndërkaq, pas takimit të Këshillit të Përhershëm të mbajtur në Vjen, ambasadorët e 57 shteteve anëtare të kësaj organizate, më 27 nëntor, Bujar Osmani tha se është arritur konsensus që Malta të jetë shteti i radhës e cila në vitin 2024 me OSBE-në.
“Vendimi do të konfirmohet në Këshillin Ministror të 30-të të OSBE-së në Shkup. Mirënjohje Maltës për gatishmërinë që ta marrë përsipër këtë rol jetik dhe të gjitha vendeve pjesëmarrëse dhe partnere të OSBE-së për fleksibilitetin dhe mbështetjen e tyre”, shkroi Osmani në profilin e tij në Facebook.
Këshilli Ministror i OSBE-së, që do të mbahet në Shkup, shihet si një ngjarje kyçe në të cilën do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen, duke pasur parasysh pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme të vendosura nga Rusia që nga nisja e pushtimit të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Në Këshillin Ministror në Shkup që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës.
The post Takimi i OSBE-së më 27 nëntor, Lavrov: Pjesëmarrja ime do të varet nga Bullgaria, kjo është arsyeja appeared first on .