Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e mëtejme të ndalimit aktual të luftimeve në Gaza dhe pauzat e ardhshme për të lehtësuar lirimin e të gjithë pengjeve, thanë ata në një deklaratë të përbashkët të martën.
“Duhet bërë çdo përpjekje për të siguruar mbështetje humanitare për civilët… Ne mbështesim zgjatjen e mëtejshme të kësaj pauze dhe pauzave të ardhshme sipas nevojës për të mundësuar rritjen e ndihmës dhe për të lehtësuar lirimin e të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Armëpushimi aktual i solli Gazës së pushtuat nga Hamasi armëpushimin e saj të parë pas shtatë javësh bombardime që e kanë kthyer në rrënoja pjesën më të madhe të brezit bregdetar dhe kanë vrarë më shumë se 15 mijë njerëz, sipas zyrtarëve.
Deklarata e G7 mirëpriti gjithashtu lirimin e disa prej pengjeve të kapur më 7 tetor nga militantët e Hamasit, kur ata nisën një sulm ndaj Izraelit që vrau rreth 1200 njerëz, raporton Reuters.
Hamasi liroi 12 pengje të tjerë dhe Izraeli liroi 30 të burgosur palestinezë të martën, në ditën e pestë të një armëpushimi të zgjatur gjashtë-ditor midis grupit militant palestinez dhe Izraelit në luftën e Gazës. Numri i përgjithshëm i pengjeve të liruara nga Hamasi që nga fillimi i armëpushimit të premten e kaluar tani është 81, ndërsa Izraeli ka liruar 180 të burgosur.
“Ne, si G7, kërkojmë lirimin e të gjithë pengjeve menjëherë dhe pa kushte”, thuhet në deklaratën e G7.
Ai theksoi “të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por nënvizoi rëndësinë e “mbrojtjes së civilëve dhe respektimit të ligjit ndërkombëtar”. Ai tha gjithashtu se G7 ishte i përkushtuar ndaj një shteti palestinez si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete.
Ministrat e jashtëm të G7 paralajmëruan kundër përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit. Ata i kërkuan Houthi-ve të Jemenit të mbështetur nga Irani që të pushojnë kërcënimet ndaj korsive ndërkombëtare të transportit dhe anijeve tregtare dhe të lirojnë anijen tregtare Galaxy Leader dhe ekuipazhin e saj të kapur më 19 Nëntor.
The post G7 kërkon zgjatjen e armëpushimit në Gaza appeared first on .