Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes janë duke u shkaktuar prej patogjeneve të njohura dhe nuk ka shenja për sëmundje të reja infektive, kanë thënë autoritetet shëndetësore në Kinë.
Ky shtet po përballet me dimrin e parë, pas heqjes së kufizimeve për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Rritja e numrit të personave të sëmurë në këtë shtet – ku është regjistruar shpërthimi i koronavirusit më 2019 – e ka marrë vëmendjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë javën e kaluar, pas raportimeve për raste të pneumonisë te fëmijët.
Autoritetet kineze do të hapin më shumë klinika të pediatrisë, do të synojnë të kujdesen më shumë për të moshuarit dhe do të japin vaksina për fëmijët, si dhe inkurajojnë njerëzit të vendosin maska dhe t’i pastrojnë duart, ka thënë Mi Feng, zyrtar në Komisionin e Kinës për Shëndet Kombëtar.
Mjekët në Kinë dhe ekspertët jashtë vendit kanë thënë se nuk ka vend për alarm për situatën në Kinë, duke marrë parasysh se edhe vendet tjera janë duke regjistruar rritje të rasteve me komplikime në rrugë të frymëmarrjes, pas lehtësimit të masave kundër pandemisë.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.
The post Kinë: Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, të shkaktuara prej patogjeneve të njohura appeared first on .