Problematikë e mprehtë për sektorin vijon të mbetet edhe mungesa e fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese të bimëve mjekësore.
Filip Gjoka, nga “Filipi Co”, pohon se zgjidhje e vetme ka mbetur punësimi i punonjësve indianë, pasi fuqia vendase ka emigruar.
Sektori po has shumë vështirësi edhe me mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit. Kjo po sjell jo vetëm lënien e tokave djerr, por edhe rënien e sasisë së bimëve të grumbulluara në zonat malore, për shkak të shpërnguljes apo largimit në emigracion të banorëve, por edhe mungesës së fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese.
Zgjidhja e vetme mbetet punësimi i të huajve. Deri tani, kompania jonë ka punësuar 10 punonjës nga India. Rendimenti i tyre në punë është i kënaqshëm. Pritet që për muajin tjetër të vijnë edhe 20 punonjës të tjerë nga India”, tha ai.
Për të mbajtur fuqinë punëtore, bizneset janë detyruar të rrisin herë pas here pagat e punonjësve. Orges Liperi thotë se shtimi i kostove nga rritja e pagave ka ndikuar në kosto më të larta për produktin final. “Po hasim vazhdimisht probleme për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Për të parandaluar boshllëkun e radhës që mund të krijohet nga largimi i punonjësve, kemi rritur pagat dhe mbajmë të punësuar më shumë se sa nevojiten, duke rritur koston për produktin përfundimtar”, nënvizon drejtuesi i kompanisë “Albanian Trading Company” sh.p.k.
Ndërsa Kujtim Zere, drejtues i kompanisë “Albanian Herb”, shton se sektori do të mund ta përballonte edhe një vit koston e fuqisë punëtore, për shkak të rritjes së pagave dhe të mungesës së tyre.
“Zona e Belshit është mjaft e pasur me kultivim të bimëve mjekësore dhe aromatike, një burim jetese për banorët e zonës. Por shumica e tyre kanë emigruar në Greqi për të kryer punë të ngjashme apo në Itali me të njëjtën pagë. Kjo është vërtet e çuditshme!
Tendenca e fermerëve për t’u larguar dhe për t’i lënë tokat djerr është theksuar. Institucionet shtetërore duhet të shtojnë mekanizmat mbështetës në ndihmë të fermerëve, pra t’i nxisin më shumë për të punuar tokën. Një ndër to do të ishte rikthimi i skemës së rimbursueshme të TVSh-së. Rimbursimi mund të bëhet për artikuj të caktuar, me qëllim që të mbështeten fermerët nga rritjet e kostos për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, apo kur ka rënie të tyre nga ulja e Euros”, pohon Zere.
Edhe për Orges Liperin nga “Albanian Trading Company” sh.p.k., marrja e masave si njohja e rimbursimit të TVSH-së së fermerit, duke përfshirë uljen e tatimfitimit, të çmimit të energjisë elektrike, karburantit do ta ndihmonin biznesin.
Heqja 6% e TVSh-së së kreditueshme hyri në fuqi nga 1 janari 2022. Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale, Filip Gjoka, paralajmëroi se shfuqizimi i saj do të shtojë problematikat e sektorit. Efekti i parë, sipas tij, do të ishte tek ulja e çmimit, e cila prek fermerin që kultivon bimët mjekësore.
“Kjo do të rrisë mungesën e interesit të tij për të punuar tokën”, pohoi ai më herët./
The post Me sytë nga India, eksportuesit shqiptarë nuk kanë punëtorë appeared first on ALBUK UK NEWS.