TIRANË– Në Gjykatën e Lartë shqyrtohet sot kërkesa e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të cilët kërkojnë që dosja e ’21 janarit’ t’i kalojë SPAK. Seanca gjyqësore do të zhvillohet sot në orën 13:00 me trupin gjykues Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Në seancë do të jenë të pranishëm edhe palët, pra të familjes Nikës dhe të përfaqësuesve të SPAK, ku edhe më pas do të caktohet nëse çështja do të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme.
Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.
Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 bën thirrje për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve të atij krimi shtetëror. SPAK do të duhet të zbardhë akuzat për urdhërim të vrasjeve, prishje dhe devijim të hetimeve, pengim të drejtësisë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare të asaj kohe, të drejtuar nga Sali Berisha.
Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan. Familjarët e protestuesit të vrarë kërkojnë që Gjykata e Lartë të prishë dy vendimet e marra nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit dhe të urdhërojë Prokurorin e Posaçme të regjistrojë procedimin penal. Sipas argumentit të tyre, të akuzuarit për të krim janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ish Kryeministër dhe ish Ministër i Brendshëm, të cilët janë subjekte që duhet të hetohen nga SPAK bashkë me Andrea Prendin, ish-komandant i Gardës së Republikës.
The post Dosja ‘21 janari’ drejt SPAK, Gjykata e Lartë vendos sot! Thirrja e Strasburgut për drejtësi: Krim shtetëror, të hetohet appeared first on ALBUK UK NEWS.