La foshnjën vetëm dhe iku me pushime: Gruaja dënohet me burgim të përjetshëm

Një grua nga Ohio është një tjetër rast shokues që ka tronditur jo vetëm Amerikën, por edhe mbarë opinionin botëror. Kristel Candelario la foshnjën 16 muajshe vetëm në shtëpi për të shijuar një aventurë 10-ditore pushimesh në plazhet tropikale. Kur ajo u kthye, e gjeti vogëlushen të dehidratuar dhe pa jetë.

32-vjeçarja Candelario, u njoh me vendimin e gjykatës shtetërore në Cleveland, pasi u përball me akuzën e rëndë të vrasjes dhe shtyrjes drejt vdekjes të vajzës së saj, Jailyn.

Gjykatësi i çështjes, Brendan Sheehan, u shpreh se të udhëtosh jashtë shtetit, ndërsa lë një fëmijë të vogël vetëm në shtëpi pa ushqim është “pabesia” më e madhe që mund t’i bëhet një të mituri, ndaj dënimi maksimal me burgim të përjetshëm është i merituar.

Ashtu siç ju nuk e latë vogëlushen Jailyn të dalë nga izolimi për 10 ditë, po ashtu edhe ju duhet të kaloni pjesën tjetër të jetës në qeli, pa asnjë ditë lirie,” tha Sheehan gjatë seancës së dënimit për nënën e re. “I vetmi ndryshim do të jetë që burgu të paktën do t’ju ushqejë dhe do t’ju japë ujë dhe lëngje që ju ia mohuat fëmijës suaj.”

Pas shpalljes së vendimit për burgim të përjetshëm, Kristel shpërtheu në lot, teksa u shpreh se ndjen shumë dhimbje për humbjen e së bijës. “Jam shumë e lënduar për gjithçka që ka ndodhur. Unë nuk po përpiqem të justifikoj veprimet e mia, por askush nuk e dinte se sa shumë po vuaja dhe çfarë po kaloja në atë periudhë,” u shpreh ajo.

Pa dhënë shumë detaje, Candelario tha se: “Shpresoj që Zoti dhe vajza ime të më kenë falur“.

Prokurorët e akuzuan nënën e re se kishte shkuar me pushime në Detroit dhe Porto Riko, ndërsa e la Jailyn vetëm në shtëpinë e saj, në lagjen West Boulevard në Cleveland. Disa ditë pas udhëtimit, sipas New York Post, Candelario postoi foto dhe video në rrjetet sociale, e buzëqeshur, zbathur në rërën e plazheve tropikale dhe me rroba banje, ndërsa foshnja luftonte me jetën në shtëpi.

Kristel Candelario bëri 10 ditë pushime dhe kur u kthye në shtëpi gjeti Jaylin, në mes të urinës dhe jashtëqitjes, pa asnjë shenjë jete. Mjekët e urgjencës përcaktuan shkakun e vdekjes së vogëlushes, duke e cilësuar si jashtëzakonisht të dehidratuar.

Nëna u shpall fajtore për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të dhe mori dënimin maksimal me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

The post La foshnjën vetëm dhe iku me pushime: Gruaja dënohet me burgim të përjetshëm appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *