ALBUK TV LIVE

Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të hënë (sot, 22 prill).

Gjyqi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pritet të nis në orën 09:00 këtë të hënë, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën dhe të enjten (23, 24 dhe 25 prill). Seancat e fundit gjyqësore për këtë muaj priten të mbahen në Hagë më 29 dhe 30 prill.

Ndërkohë, më 15 prill, trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, në vendime të veçanta për secilin, vazhdoi paraburgimin për Thaçin dhe Veselin, duke pretenduar se vazhdon të ekzistojë rreziku se dy të akuzuarit do ta pengojnë procesin gjyqësor dhe do të kryejnë vepra të tjera penale.

E prej mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar mbi 50 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun. Megjithatë, dëshmitari i radhës pritet të dëshmojë publikisht.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

The post Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *