Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka potencuar se Serbia do të tentojë që sërish ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Osmani ka vlerësuar se Serbia vazhdimisht bën planifikime në këtë drejtim.
“Por, jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm”, ka potencuar ajo.
E pyetur për dështimin e fazës së dytë të procesit të shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në Veri, Osmani ka potencuar se tani kryetarët aktualë mbesin në zyrë.
“Kjo ka qenë zgjedhje e serbëve që jetojnë në këto katër komuna të Veriut për shkak të, fatkeqësisht, presionit të vazhdueshëm që ua bën Serbia. Tani kryetarë kanë edhe një kohë mandat”.
Osmani, ka potencuar se dërgimi eventual i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – e hartuar nga Bashkimi Evropian – për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e Qeverisë së Kosovës.
“Pra mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë”, ka thënë Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa ka potencuar se një hap i tillë varet shumë edhe nga rrjedha e dialogut, meqë në vlerësimin e saj plani i sekuencimit për Marrëveshjen Bazë – i cili parasheh qartë se cili hap nga Kosova ndërmerret i pari, cili hap nga Serbia ndërmerret po ashtu paralelisht – nuk është dakorduar ende.
E pyetur se a ka hapësirë që Zyra e Presidentes ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese, Osmani ka potencuar se ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngrit çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese.
“Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”, ka potencuar ajo.
Osmani gjatë intervistës ndër të tjera ka potencuar se Kosova duhet të procedojë tutje me Asociacionin vetëm atëherë kur ka një plan sekuencimi, e Serbia zbaton pjesën e saj të marrëveshjes.
“Në qoftë se kërkohet zbatim, duhet të kërkohet nga të dyja, siç e thashë, ndryshe krejt kredibiliteti i dialogut dhe parimi i trajtimit të barabartë të palëve nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse në njëfarë mënyre, po mbetet vetëm njëra palë në proces, pasi tjetra tashmë është tërhequr formalisht duke dërguar letër në BE që nuk do ta zbatojë marrëveshjen”, ka potencuar ajo.
Ndërkaq në pyetjen se çfarë do të bëjë Kosova në rast se Serbia vazhdon të mos e përmbush Marrëveshjen Bazë, Osmani ka argumentuar se Kosova duhet t’i kthehet një qasjeje që vendi ka pasur kur është shpallur e pavarur.
“Duhet të kthehemi një lloj qasjeje kur Kosova ka bërë një sërë koncesionesh, të cilat nuk e kanë bërë shtet jofunksional, por kanë qenë koncesione të vështira. Por në anën tjetër, Serbia nuk ka pranuar të zbatojë pakon e Ahtisaarit. Por, çka kemi fituar ne në shkëmbim, ka qenë pavarësia e Kosovës, njohja e Kosovës dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”.
Në rast se dështon parimi që të dyja palët të zbatojnë Marrëveshjen Bazë në mënyrë paralele, Osmani ka sugjeruar që Kosova të ulet me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të hartojnë një plan të qartë.
“Në qoftë se Kosova i zbaton të gjitha këto koncesione, atëherë cilat janë masat që do t’i ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar për ta përkrahur Kosovën? Ta zëmë, a është NATO-ja në tavolinë? A është statusi i kandidatit dhe pastaj ecja shpejt drejt BE-së, bazuar edhe në reformat që i kemi bërë, në tavolinë? Pra, një lloj marrëveshje mes nesh dhe partnerëve tanë është një çështje që unë e kam trajtuar që një kohë të gjatë me partnerët, në veçanti me SHBA-të, gjithnjë duke e ditur që ne do të vijmë në këtë pikë dhe Serbia sërish nuk do të zbatojë asgjë”.
The post Osmani: Serbia do të tentojë që sërish ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë appeared first on ALBUK UK NEWS.