Lajmi se më në fund Erion Veliaj do të paraqitet edhe publikisht në dyert e SPAK ka risjellë në sipërfaqe një enigmë që ngre krye herë pas here: e ka shitur, apo e mbron Rama, Erion Veliajn? Këto pandehma kanë marrë shkas nga qëndrimet kontradiktore të kryeministrit, që lehtësisht mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
Ata që janë më çdo çmim kundër Veliajt, mes të cilëve ka dhe shumë socialistë, e morën si një sinjal domethënës deklaratën e Ramës në Report TV, se SPAK duhet ti nxjerrë ujin e zi korrupsionit në bashki. “SPAK ti nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye, ku ka prova për këdo qoftë, që nga njëra anë është reshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët, dhe nga ana tjetër që e shfrytëzon postin për punën e përveçme dhe krejt të pa amistueshme për përfitim të paligjshëm, të godasë dhe të mos pyesë as majtas as djathtas as lart as poshtë, por vetëm drejt”, tha pak ditë më parë kryeministri.
Po të tilla deklarata, që u komentuan me zell në ato pak media anti Veliaj që i kanë mbetur pranë opozitës, duhen marrë me rezervë. Në shumë raste të tjera kryeministri e ka përdorur si argëtim lojën e maces me miun kundrejt vartësit të tij më servil. Në të njëjtën mënyrë u komentua nga opozitarët një foto e një ritriti të PS me kryebashkiakët, ku Veliaj ishte lënë jashtë tryezës, si një i zgjebosur që duhet të qëndronte në distancë higjeike larg të tjerëve (shih fotot poshtë).
Po ashtu, qëndrimi i Ramës ndaj njeriut që herë e denigron publikisht duke e trajtuar si bojaxhi, që duhet të lyej muret e shkallëve dhe herë e ysht të kapi lopën e një fshatari, u komentua si anti Veliajt kur u arrestuan drejtorët e 5 D. Për disa ditë kryeministri heshi dhe kjo i entuziazmoi “armiqtë” e Lalit. Por gëzimi nuk u zgjati shumë. Se më në fund ai e përkrahu publikisht kryebashkiakun e njollosur me mëkate të njëjta. Ata u shfaqën me deklrata të përbashkëta dhe të rakorduara për arrestimet e drejtorëve.
Ndërkohë që prej një jave pas prangosjes qarkullonte dilema nëse lideri do ta shiste apo mbronte delfinin e tij, epilogu publik i kësaj pikpyetjeje ishte teksti i shkruar i Ramës: “Bashkohem fjalë e presje me qëndrimin e Erionit”. Pra një gjë u duk qartë: së paku gojarisht ai i doli në krahë Lalit. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet. Në strategjinë e mbrojtjes që zgjodhi, Veliaj përdori me “fjalë e presje” të njëjtat argumentat që shefi i ka thënë shqiptarwve kur është gjendur në të njëjtin hall.
Pra, Edi Rama se paku publikisht, nuk mund të dilte e të thoshte se parimi që vlen për mua, se “shokët kanë ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës time”, nuk është i vlefshëm për të tjerët. Ai nuk mund të mohonte logjikën që e ka bëtë të vetën se janë kryer punë të mira, pavarësisht se dikush ka pasur qëllime të mbrapshta.
Por, përpos këtij shpjegimi, që arsyetohet me mbajtjen e një linje koherente, kryeministri mund të ketë edhe arsye praktike që e detyrojnë të mos e shesi Veliajn. Ai është i ndërgjegjshëm se me pushtetin që i ka deleguar, në dhjetë vite, Erioni është shndërruar në një levë të rëndësishme të regjimit. Ai ka pushtet të pamatë ekonomik, kontrollon, siç është parë këto ditë edhe një pjesë të TV të mëdha dhe ka influencë të gjërë mbi sistemin e drejtësisë. Falë këtyre ai ka rezultuar si një nga njerëzit më efikasë për të kryer punët e pista për llogari të shefit. Për këtë arsye, duke vënë në njërën anë të peshores imazhin e njollosur që i lë Veliaj organizatës dhe në anë tjetër, aftësinë e tij për të shërbyer, Rama mund të këtë vendosur ta mbrojë. Prandaj ai doli publikisht me deklaratën e rakorduar se edhe Erionit fajin ia kanë vartësit.
Por as kjo “mburojë” duket se nuk e ka qetësuar kryebashkiakun që nuk po di si të sillet ndaj thirrjes së SPAK. Ashtu sikurse i ndodh sa herë që gjendet në trysni, kur bwn gafa që e vetë tradhëtojnë, Veliaj bllofoi sikur po paraqitej me vullnet të plotë në Prokurorinë e Posatçme. “Unë besoj se marrëdhënia me SPAK-un nuk duhet të jetë vetëm reaktive, kur ata kërkojnë diçka, por mund të jetë edhe pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave. Ndaj, besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin. Unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë”, tha ai në kanalin e partisë Report TV.
Natyrisht të gjithë e dinë që në SPAK nuk shkon kur vendos ti, por kur të thërrasin. Dhe kjo lajthitje fëmijënore e Veliajt nuk shërben dot si alibi. Gazetarët e kronikës tashmë e dëshmojnë se atij i janë nisur fletërthirrjet. Por makthi i tij është tjetër. Qoftë edhe sa për sy e faqe, ai do të tregojnë se nuk është një politikan që e kanë shitur. Ai do të hiqet sikur situatën e ka nën kontroll. Prandaj dhe mbështetja, qoftë edhe verbale e Edi Ramës, tani për tani e ndihmon.
©Lapsi.al
The post Në dyert e SPAK/ E ka shitur, apo e mbron Rama Erion Veliajn appeared first on ALBUK UK NEWS.