Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për transmetuesin britanik “BBC” të martën, zbuloi arsyen pse u lanë të lirë pjesëtarët e grupit paramilitar serb që sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.
Duke folur për ngjarjet e 24 shtatorit 2023, kreu i ekzekutivit sugjeroi se shteti serb provokoi luftë. Por, pyetja e gazetarit të BBC-së ngushtoi kryeministrin Kurti: “Pse i latë të iknin, kur veçse ishin të rrethuar”.
“Ne kishim një perimetër të gjatë dhe të gjerë. Ne s’deshëm që ndonjë nga plumbat e policisë tonë të përfundonin në manastirin ortodoks serb. Çmimi që ne paguam ishte fakti që ata ia arritën të iknin”, u përgjigj ai.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, përkundër se pranoi përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit, ai dhe terroristët tjerë që s’u kapën nga policia lëvizin të lirë nëpër Serbi.
The post BBC pyet Kurtin: Pse e latë Radoiçiçin të lirë kur e kishit rrethuar? appeared first on ALBUK UK NEWS.