Popullsia bie në nivelet e viteve ’70! Në Shqipëri ka 2.4 milionë banorë, gati 420 mijë më pak se në vitin 2011

Në Shqipëri jetojnë pak më shumë se 2.4 milionë qytetarë. Në krahasim me vitin 2011, numri i popullsisë është pakësuar me gati 420 mijë apo 14.9 për qind. Kaq banorë Shqipëria ka pasur pesë dekada më parë, në vitet ‘70 gjatë regjimit komunist.

“Të cilët përbëjnë 755.950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1.082.529 banesa të zakonshme”, tha Elsa Dhuli, Drejtues e Institutit të Statistikave.

Tirana është qarku me numrin më të lartë të popullsisë me pak më shumë se 758 mijë banorë, ndjekur nga Fieri dhe Elbasani me përkatësisht me 240 mijë e 377 dhe 232 mijë e 580 banorë. Më pas vijnë, Durrësi, Korça, Shkodra, Vlora, Berati e Dibra. Qarqet me më pak banorë janë Lezha, Kukësi dhe Gjirokastra që numron pak më shumë se 60 mijë banorë nga më shumë se 72 mijë në 2011-tën.

“Mosha mesatare e popullsisë rezultoi 42.5 vjeç. Krahasuar me vitin 2011 është rritur me 7 vite respektivisht. Nëse do të shikonim strukturën moshore të popullsisë do të vinim re një piramidë me një bazë të ngushtë dhe një majë të gjerë që hedh dritë e që mbështet plakjen e popullsisë”, tha Olta Caca, Departamenti i Statistikave të Popullsisë në INSTAT.

Rënia e numrit të popullsisë në vetëm 2.4 milionë banorë ka tejkaluar edhe skenarët më pesimistë të zhvillimeve demografike. Në këtë kohë INSTAT priste që në vend të jetonin në rastin më të keq më shumë se 2.7 milionë banorë, ndërsa në skenarin optimist llogariteshin gati 3 milionë qytetarë.

“Peshën më të madhe e zënë NJEF me 3-4 persona , 38.4 për qind ndjekur nga ato me 2 anëtarë, 28.5 për qind për të vijuar me familjet numeroze me mbi 5 anëtarë që përbëjnë 19.4 për qind eh ato me vetëm një anëtar vetëm 13.7 për qind” , shtoi Anisa Omuri, Sektori i Statistikave të Konsumit të Familjeve në INSTAT.

E në një kohë që popullsia është tkurrur me gati 420 mijë banorë, numri i ndërtesave në vend është rritur me po aq në harkun e 12 viteve. Nga pak më shumë se 686 mijë shtëpi e apartamente në 2011-n, numri i banesave rezulton të ketë arritur në gati 1.1 milionë. 

Bazuar te përgjigjet në dorë të lirë të qytetarëve, në Shqipëri rezulton të jetojnë rreth 23 mijë grekë, duke përbërë gati 1 për qind të totalit të popullsisë në vend. Egjyptianët renditen të dytë me numrin më të lartë të banorëve komunitarë, ndjekur nga Romët, bullgarët, boshnjakët e arumunët. Në vend rezulton të jetojnë 584 serbë e 511 malazezë.

Pas të përgjithshme, në dhjetor pritet edhe publikimi i të dhënave më të detajuara, në rrafsh qarqesh e bashkish.

The post Popullsia bie në nivelet e viteve ’70! Në Shqipëri ka 2.4 milionë banorë, gati 420 mijë më pak se në vitin 2011 appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *