Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e opozitës në Kryeministri, deklaroi se Edi Rama “e do Shqipërinë pa shqiptarë”.
“9 dekada më parë, Çubrilloviç shkruante tezat e tij gjenocidale ndaj shqiptarëve. I bëj thirrje çdo shqiptari t’i hedhë një sy këtij dokumenti famëzi sepse aty do zbuloni një të vërtetë shokuese. Do shikoni se platforma e Çubrilloviçit dhe regjimi i sotëm i Edi Ramës ngjasojnë si dy pika uji. Çubrilloviçi propozonte një metodë tinëzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirë jetën shqiptarëve, me taksa të larta, me polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave, me gjoba dhe arrestime masive, me prishjen e banesave, me shndërrimin e pasurive përrallore në mallkim për qytetarët. Por më vonë, OKB në nenin 2 konventës kundër gjenocideve, përcakton 5 lloje gjenocidi dhe njëri prej tyre është ai i kalkulimit të kushteve të jetesës që sjellin shkatërrimin e plotë osë të pjesshëm të një populate”, u shpreh Berisha.
“Thënë këto, çdo shqiptar duhet të pranojë të vërtetën se vjedhjet e pangopura, taksat e larta, shndërrimi i votës në krim dhe krimit në votë, kanabizimi i vendit, zëvendësimi i shtetit ligjor me narkoshtetit, lirimi i bosëve të krimit, kapja e drejtësisë, lufta ndaj opozitës së vërtetë, uria e fëmijëve shqiptarë, grabitja e ilaçeve, nuk ka qenë keqqeverisje, nuk kanë qenë rastësi, jo dhe jo. Ato kanë qenë kushte të kalkuluara për nxirjen e jetës së shqiptarëve, me të cilat Edi Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit”, shtoi kreu i PD.
Sipas Berishës, Rama “arriti të nxisë emigracionin e kaq shumë shqiptarëve sa asnjë pushtues tjetër në histori nuk kishte arritur një gjë të tillë”.
“Ja pse Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi, nuk shfaq asnjë pengesë apo shenjë dhembshurie. Sepse Edi Rama gjithçka për të e kishte pjesë të axhendës së vet që nisi sapo mori pushtetin në vitin 2013. Sepse Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë. Dhe nëse ka ndonjë shqiptar që mashtrohet sot nga Rilindja se sot Shqipëria është në ditët më të mira, u them mos dëgjoni denoncimet e Sali Berishës dhe as ato të medieve ndërkombëtare, por dëgjoni ndërgjegjen dhe memorien tuaj. Kujtoni se si vitin e parë në pushtet ai arrestoi 38 mijë shqiptarë të varfër për çështje civile dhe fill pas kësaj, realizoi kanabizimin e plotë të Shqipërisë me qëllim ndërtimin e narkoshtetit”, tha Berisha.
The post “Nxiti emigracionin sa asnjë pushtues tjetër”, Berisha: Edi Rama antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë appeared first on ALBUK UK NEWS.