Britania e Madhe njoftoi se do të vazhdojë mbështetjen financiare të cilën e ndërpreu në janar për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme britanike, ministri David Lammy deklaroi se shkurtimi i mbështetjes prej 21 milionë paundë do të vazhdojë t’i paguhet UNRWA-së.
Lammy theksoi se ndihma humanitare për Gazën është detyrim moral përballë krizës së vazhdueshme humanitare.
“UNRWA është në qendër të përpjekjeve humanitare. Asnjë institucion nuk është mjaft i madh për t’iu përgjigjur nevojave në Gaza. Jemi të shokuar nga pretendimet se punonjësit e UNRWA-së morën pjesë më 7 tetor (2023). Pas shqyrtimit të pavarur të Catherine Colonna-s (ish-ministrja e jashtme franceze), ne kemi besim se UNRWA përmbush standardet më të larta të paanshmërisë dhe ka forcuar procedurat e saj”, tha Lammy.
Ai theksoi se UNRWA ka bërë pjesën e saj dhe se Britania ka marrë hapat e nevojshëm, duke ndjekur aleatët si Bashkimi Evropian (BE), Japonia dhe Norvegjia. Lammy përsëriti thirrjen e Britanisë për armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të burgosurve dhe hyrjen e ndihmës së nevojshme humanitare në Gaza.
Ministrja britanike e Zhvillimit, Anneliese Dodds tha: “Me situatën në Gaza e cila është në një pikë të paqëndrueshme dhe të papranueshme, duhet të ndërmerren hapa urgjent për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve. UNRWA është i vetmi institucion që mund të japë ndihma për nevojtarët. Por, ajo mund të funksionojë në mënyrë efektive vetëm kur Gaza është e sigurt për të gjithë punëtorët”.
Dodds do të takohet sot me Komisionerin e Përgjithshëm të UNRWA-së, Philippe Lazzarini për të vlerësuar aktivitetet e Agjencisë në Gaza.
Në kuadër të mbështetjes prej 21 milionë funtesh që Britania do t’i ofrojë UNRWA-së, 6 milionë paundë do të përdoren në projekte për ata që kanë nevojë urgjente në Gaza dhe Bregun Perëndimor ndërsa 15 milionë paundë do të përdoren në projekte për nevojat bazë në Bregun Perëndimor.
Pas akuzave se disa punonjës të UNRWA-s ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit, Britania njoftoi se e kishte ndërprerë mbështetjen ndaj këtij institucioni më 27 janar.
The post Britania do të vazhdojë mbështetjen e saj financiare për UNRWA-në appeared first on ALBUK UK NEWS.