Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk shkoi siç ishte planifikuar, pasi që në nisje të saj sapo ka marrë fjalën kryebashkiaku Erion Veliaj, pati tensione dhe akuza nga këshilltari i Partisë së Lirisë Tedi Blushi.
Blushi nuk kurseu as hedhjen e bllokut me letra drejt kryebashkiakut Erion Veliaj.
Sipas burimeve në mbledhje nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike mes këshilltarit të PL dhe Halit Valterit këshilltarit të mazhorancës.
Menjëherë pas mbylljes së parakoshme të mbledhjes së Këshillit Bashkiak ka reaguar në platformën “x”, kryebashkiaku Erion Veliaj për tensionet e krijuara duke i cilësuar si sjellje vandale.
“Sot Këshilli Bashkiak kishte për të votuar hapjen e 2 çerdheve të reja, abonetë falas për studentët, miratimin e shkollës Ecole 42 për të rinjtë, zonën e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende pune të reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri. Por Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegëve këshilltarë, është shenjë dëshpërimi, jo force. Do të kërkoj zbatimin e ligjit me përpikmëri që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton dhe Tirana të mos mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e mjeranëve të tij.”
Në mbyllje të statusit të tij, kryebashkiaku Erion Veliaj thekson se Tirana nuk do të mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e mjeranëve të tij.
The post Tensione në Këshillin Bashkiak të Tiranës/ Përplasje fizike mes Tedi Blushit dhe Halit Valterit appeared first on ALBUK UK NEWS.