Nga: Jake Wallis Simons / The Daily Telegraph
Ndodhi. Dy rezultate janë të pashmangshme. Së pari, po e shohim presidencën e dytë të Trumpit, përveç nëse Zoti do ndryshe. Së dyti, që tash e deri në nëntor shtrihen katër muaj të politikës së pamëshirshme identitare.
Mirë se vini në zgjedhjet amerikane të vitit 2024, në edicionin Donald Trump vs Kamala Harris. Joe Bideni i cili në mbrëmje iu nënshtrua plagëve të moshës dhe koronavirusit, përdori cilindo gjykim mendor që i kishte mbetur për ta emëruar Harrisin si trashëgimtare dhe pasardhëse të tij.
Këtë vendim historia nuk do ta shohë me dashamirësi. Mbi të gjitha sepse Harrisi është një nga politikanet më pak të njohura e cila ndonjëherë ka zënë një post kaq të lartë. Siç e theksova tri javë më parë, sondazhi i vitit të kaluar ia dha asaj statusin përulës të nënpresidentes më të keqe të këtij mijëvjeçari.
Në javët e fundit, popullariteti i saj është rritur paksa në raport me presidentët, por gjithsesi është negativ në të dy drejtimet dhe me rreth pesë pikë prapa Donald Trumpit. A është çudi? Një kërkim i shpejt në Google zbulon se gafet janë aftësia e saj më e madhe për të mobilizuar njerëzit. Në mënyrë të pakuptueshme ia futi kot me pemët e kokosit, duartrokiti me entuziazëm këngën ku vetë ajo sulmohet në spanjisht, si e marrë para kamerave këndoi The Wheels On The Bus me një melodi të cilën askush nuk e njihte, ndërsa ka përsëritur moton e saj – “çfarë mund të shkarkohet nga ajo që ka qenë” – jo më pak se 62 herë në fjalime, duke siguruar material të efektshëm për sulmin e republikanëve në këtë muaj.
Për më tepër, dosja e saj ende nuk është hapur mirë. Për shembull, merreni historinë e saj të ndërlikuar si prokurore e vetëshpallur “progresive”. Në traktin e saj të fushatës së vitit 2019, ajo shkroi: “Amerika ka histori të thellë dhe të errët të njerëzve të cilët pushtetin e prokurorit e përdornin si instrument padrejtësie. E njoh mirë këtë histori – të njerëzve të pafajshëm të mbyllur, të akuzave të ngritura kundër njerëzve me ngjyrë dhe pa prova të mjaftueshme, të prokurorëve të cilët i fshihnin informacionet të cilat do të shfajësonin të pandehurit, të zbatimit joproporcional të ligjit”.
Fjalët e saj më vonë u përdorën për t’ia përshkruar dështimet. Mbase momenti i saj më i keq erdhi në vitin 2010, kur 600 raste të lidhura me drogën u anuluan pasi zyra e saj dështoi të zbulonte informacionin kryesor në lidhje me keqpërdorimin e provave për avokatët mbrojtës. Një vit më vonë i përkeqësoi gjërat duke kundërshtuar iniciativën e San Franciskos për legalizimin e marihuanës – gjatë mandatit të saj si prokurore e përgjithshme, 1 560 njerëz u burgosën për veprën penale të marihuanës – e më pas duke mbështetur legjislacionin e dekriminalizimit.
Në mënyrë të ngjashme, e kundërshtoi zbutjen e dënimeve të detyrueshme minimale, por veproi ndryshe kur paraqiti një plan për drejtësinë penale teksa garoi për presidente.
Lista vazhdon. Harris gjithashtu është kritikuar për gjykimet e gabuara, duke i rezistuar testimit të ADN-së me çka mund të shfajësoheshin të dyshuarit, ndërsa dështoi për të zbuluar provat vendimtare me çfarë ndryshonte peshorja kundër të akuzuarve në rastet e abuzimit seksual.
Ironikisht, u kritikua edhe mbi bazën racore, duke refuzuar kërkesat e aktivistëve të të drejtave civile për të hetuar të shtënat e policëve në Los Anxhelos dhe në San Francisko si pasojë e vrasjes së Michael Brownit në Ferguson të vitit 2014, duke i rezistuar legjislacionit i cili një vit më pas imponoi kamerat e trupit për të gjithë policinë, ndërsa ndoqi penalisht prindërit e nxënësve të cilët braktisnin shkollimin, pavarësisht ankesave se kjo i goditi më së shumti njerëzit e varfër me ngjyrë.
E vërtet, e gjithë kjo ndodhi kohë më parë. Por, kur konkurron për president si kandidat demokrat, ky është lloji i të dhënave që do të shqyrtohet nga republikanët dhe shtypi, dhe më pas nga elektorati. Ata do të zgjedhin gjithashtu qëndrimin e saj ndaj Izraelit, i cili thënë më së buti ka qenë armiqësor, në kohën 80 për qind e votuesve amerikanë e mbështetnin shtetin hebraik. Thënë ndryshe, Donald Trumpi do ta hajë si bukën e mëngjesit.
Megjithatë, përpara se fati i pritur të bëhet realitet, para nesh kemi karnavalin e politikave identitare. Ishin disa kandidatë shumë më të njohur dhe më kompetentë se Harrisi për këtë pozicion, si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ose guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer – e cila e ka avantazhin e rëndësishëm modern politik të kromozomeve XX.
Ishte edhe Josh Shapiro, guvernatori i “hapur hebraik” i Pensilvanisë, një shtet i lëkundshëm i cili është një nga politikanët më të njohur në Amerikë, duke fituar vlerësime edhe nga republikanët pas reagimit të tij dinjitoz dhe të dhembshur ndaj tentativës për të vrarë Trumpin, si dhe për vdekjen e zjarrfikësit Corey Comperatore.
Këto figura tani duhet të kënaqen me një vend të mundshëm të zëvendëspresidentit. Pse? Është e vërtetë, të gjithë këta nuk janë të njohur në mesin e elektoratit. Por, gjithashtu, asnjëri prej këtyre emrave nuk është me ngjyrë.
Sepse, kjo është Amerika 2024 dhe, të paktën për demokratët, raca ka më shumë rëndësi se lëvizjet për të drejtat civile. Dhe, jo në mënyrë të mirë. Me rritjen e presionit ndaj Bidenit për të dhënë dorëheqje, ekipi i Harrisit bëri të ditur se do të ishte “fyese” nëse ai do të emëronte pasardhës të bardhë, madje – u nënkuptua – nëse do të kishte më shumë kompetencë se ajo.
Hiqeni garën nga ekuacioni dhe Harrisi është zgjedhje e tmerrshme për nënpresidente. Shtojeni në përzierje dhe ajo ende është zgjedhje e tmerrshme, por e tillë që është shumë më e vështirë për t’u shmangur pa ndezur grindjet mbi politikat e identitetit. Partia Demokratike e sotme përbëhet nga një krah i arsyeshëm që është në luftë me krahun radikal të udhëhequr nga e përhanta Alexandira Ocasio-Cortez dhe nga anëtarët e saj të “skuadrës”. Nëse Bideni do të kishte lejuar që pasardhësi i tij të zgjidhej në konferencën e ardhshme të partisë, radikalët do të bashkoheshin me sindikatat dhe do të mund të rrëmbenin nominimin.
Fatkeqësia e tillë ka të ngjarë të shmanget nga emërimi i Kamala Harrisit. Por, kë do të zgjedhë ajo për kandidaturën e vet? Dikë nga tradita e moderuar e Bidenit apo një lopë të shenjtë nga e majta radikale?
Sinqerisht, në këtë fazë nuk ka fare rëndësi. Biden ia futi Amerikës. Çohu President Trump dhe Zoti na ndihmoftë.
The post Trumpi tani është i sigurt se do ta fitojë presidencën appeared first on ALBUK UK NEWS.