Një skemë mashtrimi që ka prekur të gjithë sistemin arsimor në Shqipëri është zbardhur ditën e sotme, nga ku ka rezultuar se të përfshirë kanë qenë edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Me anë të kësaj skeme, një 20-vjeçar nga Devolli u premtonte nxënësve dhe mësuesve në të gjithë shkollat në vend udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në krye të kësaj skeme qëndronte E. H., 20 vjeç, banues në Devoll.
Pjesë e hetimeve ka qenë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë bashkëpunuar me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Si funksiononte skema? Të përfshirë dhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit
20-vjeçari me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24” ka mashtruar dhjetëra mësues dhe nxënës në shkolla në të gjithë vendin.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
Skema u zbardh pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë. Policia e Shtetit shqiptar falënderon Prokurorinë e Seksionit të Përgjithshëm, Tiranë dhe Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, për ndihmën në këtë hetim kompleks dhe për partneritetin e vazhdueshëm.
Ndaj të riut rëndojnë akuzat për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse qëndron dikush tjetër pas 20-vjeçarit.
The post Zbardhet skema më e madhe e mashtrimit në arsim, të përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë! appeared first on ALBUK UK NEWS.