Drafti i përbashkët PD-PS për Reformën Zgjedhore, do të votojnë dhe emigrantët me adresë të saktë banimi

Vizion Plus ka siguruar draftin e përbashkët të PS-së dhe PD-së për Reformën Zgjedhore.

Me draftin e paraqitur është konkretizuar marrëveshja që palët deklaruan të premten e kaluar. Projektligji i hap rrugën votës së emigrantëve që kanë një adresë të saktë vendbanimi.

Sa i përket pikës që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërkohë që demokratët kërkonin lista 100% të hapura.

Ndërkohë, PS ka hequr dorë nga pragu 7 mijë vota, ndërkohë që demokratët kanë pranuar që 1/3 e listës në çdo qark të jetë e mbyllur.

 Tabela përmmbledhëse e Kodit Zgjedhor

Drafti i plotë:

PROJEKTLIGJ

“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008 “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 81 pika 2, dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

KUVENDI I

REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Neni 24 rifomulohet si vijon:

“Neni 24

Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

KQZ-ja drejton, mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin.

Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.

Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi. Çdo organ shtetëror shqiptar dhe çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.

Rregullatori duhet të marrë vendim, me të paktën 4 vota “pro”, për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Neni 2

Neni 25 rifomulohet si vijon:

“Neni 25

Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me përcaktimet e bera në këtë Kod dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe që janë të rregjistruar në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin sipas kritereve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në këtë Kod dhe aktet normative të KQZ-së të nxjerra në përputhje me të, dhe janë të vlefshme vetëm për zgjedhjet për të cilat ato janë hartuar. Në çdo rast, KQZ dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për çdo palë zgjedhje.

Rregjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së këtyre zgjedhësve fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë terrritorit të Republikës së Shqipëirsë njoftohet publikisht nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet.

Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pas hapjes së procesit të rregjistrimit nga KQZ aplikon në mënyrë individuale për rregjistrim në listën e këtyrezgjedhesve. KQZ krijon, mirëmban dhe përditëson platformën elektronike për rregjistrimin e kërkesave të zgjedhëve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Zgjedhësi për rregjistrim në listë paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit.

Adresa e shtetasit që voton nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mbështetet në një nga dokumentet që paraqet në KQZ, sipas pikës 5 të këtij neni. Të dhenat e identitetit të shtetasit kërkohen të verifikohen nga KQZ në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe nese ato janë të njëjta behet nga DPGJC rregjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në nje rubrikë të veçantë.

Komisioneri Shteteror për Zgjedhjet, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj të mund të kërkojnë rregjitrimin apo rregullmin e pasaktësive të rregjistrimit të tyre. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet 60 ditë para datës së zgjedhjeve miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 7 të këtij neni.

Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për rregjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose rregjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore. Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën, sipas kësaj pike, brenda 24 orëve nga data e rregjistrimit të kërkesës, por jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtohet listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç’rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi.

Në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme sipas nenit 9, pika 5, pika 6, pika 7 ose pika 8 të këtij Kodi, Rregullatori përcakton me akt normativ afatet kohore për listën e zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas të njëjtave kritere dhe procedura që zbatohen për zgjedhjet e zakonshme.

Auditët teknicienë të miratuar sipas nenit 61 të këij Kodi kanë të drejtë të kryejnë verifikimin e veprimeve të realizuar nga KQZ për rregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Reepublikës së Shqipërisë. Detyrat dhe përgjegjësite konkrete të auditëve teknicienë dhe bashkëpunim i tyre me KQZ dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile përcaktohet me vendim të Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet.

Rregullatori miraton aktet e nevojshme normative nënligjore për përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, mënyrën dhe afatet e komunikimit me Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe eventualisht bazë tjetër të dhënash, si dhe modalitetet dhe rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste.

Komisioneri dhe Ministri përgjegjes për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për ç’rregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit.”

Neni 3

Pas nenit 25 shtohet neni 25/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 25/1

Votimi nga jashtë territorit të republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari, me përjashtim të zarfeve me fletë votimi të cilët kanë vulën e hyrjes ose çdo shënim tjetër për këtë gjë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në orën 12.00 të datë së zgjedhjeve.

KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkrurtra që mundëson legjisalcioni për prokurimin publik.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ rregjistrohen ne një rregjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numerimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Rregullatoripërcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezulatit zgjedhor sipas këtij neni.”

Neni 4

Neni 67 rifomulohet si vijon:

“Neni 67

Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike

Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:

a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe

b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.

Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.

Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.

Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.

Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”

Neni 5

Në nenin 124 në fund të pikës 1 shtohen këto fjali:  “Kundër vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit sipas nenit 98 të këtij Kodi mund të bëhet ankim në KAS brenda 24 orëve nga shpallja e vendimit. KAS shqyrton dhe vendos për ankimin e paraqitur brenda 48 oreve nga depozitimi i tij.“

Neni 6

Në nenin 152 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje: “Kundër vendimit të KAS për përmbajtjen e fletës së votimit sipas nenit 124 të këtij Kodi mund të bëhet ankim nëKolegjin Zgjedhorbrenda 48 orëve nga shpallja e vendimit. Kolegji Zgjedhor shqyrton dhe vendos për kërkesëpadinë e paraqitur brenda 3 ditëve nga depozitimi i saj.“

Neni 7

Neni 162, pika 1, fjalia e dytë riformulohet si vijon:

“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”

Neni 8

Neni 163 rifomulohet si vijon: 

“Neni 163

Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës

Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.

Kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.

Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.

Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi miratohet për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”

Neni 9

Neni 183 shfuqizohet.

Neni 10

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Kryetare

Lindita Nikolla

The post Drafti i përbashkët PD-PS për Reformën Zgjedhore, do të votojnë dhe emigrantët me adresë të saktë banimi appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *