Një ukrainase që flet shqip dhe ushtron kurse në gjuhën shqipe, kjo është Lena Sallashna. Nuk ishte lufta në Ukrainë e cila e detyroi Lenën të largohej nga vendi i saj, por dëshira për të eksploruar një vend të bukur dhe me tradita si Shqipëria.
“Në fakt, nuk jetoj këtu për shkak të luftës, unë jetoj këtu sepse Shqipëria është si shtëpia ime tani, ndihem më shumë në shtëpi në Shqipëri sesa në Ukrainë. Unë kam 6 vite që jetoj në Shqipëri, punova në një agjensi turistike”, tregon ukrainasja.
Lena zgjodhi qytetin e Vlorës për të vazhduar rrugëtimin e saj, fillimisht duke mësuar shqipen e më pas duke punuar në sektorin e turizmit, ndërsa sot pas 6 vitesh, ajo ofron edhe kurse të gjuhës shqipe për të gjithë miqtë e saj që vizitojnë qytetin turistik: “Para se të vija në Shqipëri nuk dija asnjë fjalë në shqip, leksione individuale për të huajt fillova të jap një vit më parë. Me çdo student që kam, unë bëhem më konfidente”.
Duke udhëtuar ajo ka ndarë pjesëza fantastike të rrugëtimit të saj në një blog të quajtur “Lena in Albania”, ndërkohë që duke punuar si blogere ajo është integruar mjaft mirë me njerëzit vendas: “E krijova blogun 2 vite më parë, në fillim postova vetëm video për të qeshur për Shqipërinë, shqiptarët, për traditat. Tani postoj më shumë foto për udhëtimet”.
Së fundmi, 24 vjeçarja ukrainase shprehet se do të donte të investonte dhe të jetonte në Vlorë, duke e parë qytetin bregdetar si një qytet me shumë mundësi për të ardhmen: “Në përgjithësi nuk është e lehtë të jetosh vetëm në një vend të huaj dhe unë këtu vetëm jam, kjo është një sfidë që të bën edhe më të fortë. Kur erdha vitin e parë doja të jetoja në Vlorë dhe të blija shtëpi këtu, në të ardhmen do të blej një shtëpi, pasi unë mendoj se Vlora ka shumë potencial sepse është një vend i mrekullueshëm”.
Përgjatë sezonit 2023, të paktën 35% e turistëve që kanë vizituar Vlorën ishin ukrainas dhe kjo përqindje mbetet në rritje përgjatë këtij viti, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre, ashtu si italianët, janë kthyer në rezidentë.
The post “Ukrainasja e Vlorës”. Historia e Lenës, 24-vjeçares nga Ukraina që dashuron Shqipërinë appeared first on ALBUK UK NEWS.