Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pençe Toshkovski ka marrë vendimin për të shkarkuar nga detyra Sabedin Sinanin, i cili mbante postin e shefit të sigurimit të Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi.
Vendimi erdhi pas një incidenti që ndodhi në Aeroportin e Shkupit, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ndalua dhe u maltretua nga sigurimi, pohojnë burimet e Paparacit.
Sipas burimeve, Sinani është shkarkuar me arsyetimin për ndërhyrje të kundërligjshme gjatë këtij incidenti.
Ndonëse Sinani u shkarkua, deri më tash asnjë masë për shkarkim ndaj personit apo personave që kanë ndaluar presidenten Osmani në Aeroportin e Shkupit.
Të hënën, ministri maqedonas përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar se për shefin e sigurisë së Kryetarit të Kuvendit, është ngritur kallëzim penal.
Përgjatë kontrollit kufitar në Aeroportin e Shkupit (Maqedonia Veriore), presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, i ndodhi një rast i pazakontë që përfundoi me një incident mes palës kosovare dhe asaj maqedonase. Edhe pse rrethanat e plota ende janë të paqarta, rasti po cilësohet si një skandal dhe shkelje e imunitetit diplomatik.
Incidenti kishte nisur kur Osmani, e cila po udhëtonte nga Shkupi drejt Sllovenisë, refuzoi të dorëzonte telefonin e saj te sigurimi i aeroportit që kërkoi ta skanonte atë.
Këshilltarja e presidentes, Egnesa Vitia e ka cilësuar kërkesën si “në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare” dhe ka shtuar se refuzimi i Osmanit e ka nxitur një anëtar të stafit të aeroportit që ta “shtynte” presidenten.
Incidentin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por ka dhënë një tjetër situatë, duke thënë se anëtari i sigurisë së Osmanit fizikisht kishte shtyrë anëtarin e stafit të aeroportit me qëllim që t’i hapte rrugë Osmanit për të kaluar kontrollin kufitar pa skanuar telefonin e saj.
Presidenca e Kosovës e kishte falënderuar publikisht Sabedin Sinanin, sigurimin e kryekuvendarit Afrim Gashi. Sipas tyre ai i kishte dalë në ndihmë presidentes.
“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar” , thuhet në reagimin e Presidencës.
Meqenëse në mediat maqedonase, u raportua se sigurimi i Gashit krijoi incident në aeroport, duke e nxjerrë edhe revolën, nga kabineti i Gashit kanë thënë se roli i personelit të sigurimit të kryeparlamentarit ka qenë, që ta qetësojnë situatën.
“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”, thuhet në reagim.
The post Shkarkohet shefi i sigurisë së kryeparlamentarit të Maqedoni, pas incidentit të Osmanit, asnjë masë për aeroportin appeared first on ALBUK UK NEWS.