Ç’po ndodh në Veri? Ekstremistë të maskuar serbë bllokojnë doganat, Sveçla njofton masa

Situata në Veri të Kosovës është tensionuar mbrëmjen e sotme, duke detyruar autoritetet që të njoftojnë mbylljen e pikës së kalimit kufitar të Bërnjakut.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetet sociale deklaron se grupe të maskuara të ekstremistëve serbë po mbajnë të bllokuara edhe dy doganat e tjera, atë të Merdarës dhe Jarinjës.

Sveçla pretendon se u detyrua të merrte vendimin për të bllokuar Bërnjakun, pasi një familje nga Kosova që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë nga këto grupe.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.”

Sveçla theksoi se deri në stabilizimin e qarkullimit normal dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, Bërnjaku do të qëndrojë e mbyllur.

“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim.” 

The post Ç’po ndodh në Veri? Ekstremistë të maskuar serbë bllokojnë doganat, Sveçla njofton masa appeared first on ALB UK News Zeri i diaspores.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *