Presidenti, Bajram Begaj ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në gazetari, një event i organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Kreu i Shtetit u shpreh se puna e gazetarëve është nënçmuar dhe rrallëherë e vlerësuar, por i inkurajoi që të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për informim të paanshëm.
“Shpesh e kritikuar, shumë herë e nënçmuar dhe rrallëherë e vlerësuar drejt, puna juaj lidhet me besimin në një kauzë të lartë: informimin e paanshëm dhe sensin analitik për t’i dhënë kuptim jetës së përditshme shoqërore”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u kërkoi gazetarëve që të mos u dorëzoni para vështirësive, duke shprehur mbështetjen maksimale ndaj tyre.
Kreu i shtetit theksoi se rastet e dhunës fizike kundër gazetarëve duhet t’i përkasin një kapitulli të mbyllur.
“Kjo kauzë kërkon njerëz idealistë, që besojnë tek idealet e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë publike, ndaj ju inkurajoj të mos dorëzoheni përpara vështirësive, sepse mbarëvajtja juaj është mirëqenia e shoqërisë.
Ju duhet të ndiheni jo vetëm të inkurajuar, por dhe të sigurt në kryerjen e detyrës tuaj. E përsëris edhe një herë mbështetjen time maksimale për ju. Rastet e dhunës fizike kundër gazetarëve duhet t’i përkasin një kapitulli të mbyllur, sikurse edhe rastet e cenimit të lirisë profesionale dhe lirisë së të shprehurit nëpërmjet presioneve direkte apo indirekte”, përfundoi Begaj.
The post Presidenti Begaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gazetarët: Puna juaj e nënçmuar dhe rrallëherë e vlerësuar, por mos u dorëzoni para vështirësive appeared first on .