Alarm në Kosovë për përsëritjen e “Banjskës”, Konjufca në konferencë me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sërish ngriti alarmin për mundësinë e sulmeve të tjera në veriun e vendit nga Serbia. Ai këtë e bëri gjatë konferencës me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, duke shtuar se Serbia është kërcënim për gjithë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë, që është kryer në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar, por në përmasa shumë më të mëdha”, u shpreh Konjufca.

I pyetur nga A2 CNN për mundësinë e masave ndëshkuese për Serbinë për shkak të kërcënimeve ndaj Kosovës, zyrtari zviceran tha se të gjitha çështjet duhet të sqarohen mes palëve.

 “Nuk jam në pozitë si president i Këshillit Kombëtar të Zvicrës të diskutoj për atë se a duhet ta dënojmë Serbinë, por mendoj se nëse nuk është në linjë me marrëveshjen, duhet të punojmë së bashku, duhet ta qartësojmë situatën, duhet të gjejmë një zgjidhje, të dalim nga kjo bllokadë”, tha Eric Nussbaumer, president i Këshillit Kombëtar të Zvicrës.

Në lidhje me marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, Konjufca tha se Beogradi i ka shkelur parimet e marrëveshjes bazike përmes sjelljeve të saj.

“Nëse ne sulmohemi nga Serbia, nëse ministri i Mbrojtjes së Serbisë thotë ‘kur ushtria të kthehet në Kosovë’, këtu janë shkelur parimet e marrëveshjes, kjo është fryma e marrëveshjes. Ne nuk kemi fqinjësi të mirë por kemi armiqësi, jo për shkak tonin por për shkak të Serbisë dhe pozicionimit të saj”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës.

Presidenti i Këshillit Kombëtar zviceran apeloi të dy vendet Kosovën dhe Serbinë të bëjnë gjithçka për të parandaluar rritjen e tensioneve dhe të adresojnë çështjet përmes dialogut.

“Ne kemi adresuar marrëdhëniet komplekse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje lidhur me pakicat serbe në Kosovë dhe situatën në pjesën veriore. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë kosovare dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa t’i adresojnë këto tensione dhe të parandalojnë eskalimin”, theksoi Eric Nussbaumer.

Në këtë konferencë u theksuan edhe marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Zvicrës dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjithë sektorët.

The post Alarm në Kosovë për përsëritjen e “Banjskës”, Konjufca në konferencë me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *