Zyrtare/ Sylvinho rinovon me FSHF-në, ja deri kur do jetë trajner i kombëtares shqiptare

Sylvinho do të jetë trajner i kombëtares shqiptare të futbollit deri në fund të vitit 2025. Braziliani ka firmosur marrëveshjen me Federatën Shqiptare të Futbollit pas arritjes me sukses të synimit për të dërguar Shqipërinë në Euro 2024, ku kombëtarja arriti të merrte një pikë nga tre ndeshjet e luajtura.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se kontrata e re me trajnerin Silvinjo dhe dy asistentët e tij, Zabaleta dhe Dorival do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 dhe menjëherë do të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës.

Sfida e parë është UEFA Nations League, me këtë kompeticion që do t’i shërbejë stafit teknik për të përgatitur sa më mirë ekipin për kualifikueset e Botërorit 2026.

“Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka treguar progres dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian, ku tregoi performancë të denjë dhe bindëse në takimet kualifikuese si edhe u përballë denjësisht me kundërshtarë të nivelit të lartë në Euro 2024 ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës”- thuhet në njoftimin e FSHF.

E ardhmja e Sylvinhos në stolin kuqezi ishte në pikëpyetje pas përfundimit të kampionatit europian pasi ndaj tij pati shumë interesime nga ekipe të ndryshme, por vetë braziliani tha se kishte pasur diskutime me drejtuesit e federatës dhe se mungonin vetëm detajet e fundit dhe firmosja e marrëveshjes, gjëra të cilat janë arritur.

Sylvinho mori drejtimin e kombëtares shqiptare në janar të vitit 2023 duke pasuar italianin Edi Reja me synimin që të arrinte të kualifikonte kuqezinjtë për në “Euro 2024”, gjë të cilën e arriti.

Shqipëria ra në “grupin e ferrit” në kamipionat, ku duhej të ndeshej me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë për të kaluar në fazën tjetër të turneut. Kuqezinjtë arritën të merrnin vetëm një pikë falë barazimit me Kroacinë.

The post Zyrtare/ Sylvinho rinovon me FSHF-në, ja deri kur do jetë trajner i kombëtares shqiptare appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *