Hetimi për inceneratorin e Tiranës që konkludoi me 15 fletë-arresti kufizohet nga një vijë e kuqe që SPAK nuk ka guxuar ta kalojë. Është vija që ndan njerëzit që mund të goditen, nga të paprekshmit, për të cilët ligji anohet për të mos i ndëshkuar.
Dosja me 109 faqe e SPAK rëndon akoma më shumë pozitat e Lefter Kokës, Alqi Bllakos dhe vartësve të tyre, duke ia lënë faturën e inceneratorit të Tiranës, thuajse të njëjtëve persona që mbajtën mbi shpatulla atë të Elbasanit dhe të Fierit.
Lapsi.al ka lexuar me vëmëndje dosjen e hetimit për inceneratorin e Tiranës dhe ka krahasuar gjetjet për të njëjtin incenerator në dosjen e hetimit të Arben Ahmetajt, një dosje shumë më e detajuar në përmbajtje.
Dallohet menjëherë diferenca në mënyrën se si është hetuar e njëjta çështje në dy dosje të ndryshme. Në dosjen për Ahmetajt, të dhënat për inceneratorin e Tiranës janë vetëm 38 faqe, por informacioni që japin është më i drejtpërdrejtë.
1) Dosja me 109 faqe fsheh emrin e Erion Veliajt
Është qesharake se si në dosjen hetimore të SPAK për inceneratorin e Tiranës nuk përmendet as edhe një herë emri i Erjon Veliajt, megjithëse ky mban postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Mund të duket si detaj i parëndësishëm, por në fakt tregon për presionin në të cilin ka qenë prokurori i SPAK për të mos e implikuar kryetarin e Bashkisë në këtë aferë. Kur i duhet t’i referohet shkresave të firmosura nga Veliaj, në dosje ato referohen si “Bashkia e Tiranës”.
Madje emri i Veliaj nuk përmendet as kur aktet e distancojnë nga afera e inceneratorit, siç është në nisje të projektit, kur kryebashkiaku ka kërkuar zgjerimin e landfillit me PPP, sipas këshillës së japonezëve dhe jo incenerator sipas skemës së Elbasanit dhe Fierit.
Duhet thënë që dosjen tjetër, atë që hetoi rolin e Arben Ahmetajt për inceneratorin e Tiranës, emri i Erion Veliajt përmendej 10 herë, megjithëse volumi i punës dedikuar Tiranës ishte 3 herë më i pakët.
2) Dosja me 109 faqe fshehu firmën e Erion Veliajt
Nga denoncimet e shumta dhe nga dosja e SPAK për Ahmetajn është konfirmuar se Erjon Veliaj mori përsipër angazhimin për financimin e inceneratorit nga Bashkia e Tiranës, megjithëse kjo nuk ishte kompetencë e tij. Veliaj u detyrua nga presioni i Arben Ahmetajt të firmosë një dokument, sipas të cilit Bashkia e Tiranës shprehej dakort në parim me studimin e fizibilitetit. Ky moment është kaluar si një procedurë normale nga SPAK.
“Me shkresën 8275/1 prot. datë 27.03.2017, kryetari i bashkisë Tiranë i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit duke u shprehur dakort me studimin e fizibilitetit të paraqitur nga Ministria e Mjedisit” thuhet në dosje.
SPAK nuk i hyn verifikimit se çfarë parashikon studimi i fizibilitetit. Nëse do e bënte, do kuptohej se Veliaj po shprehej parimisht dakort, që Bashkia e Tiranës të ishte financuese e inceneratorit. Pra, me firmën që kishte hedhur, Veliaj angazhohej që Bashkia e Tiranës të paguante mbi 91 milion euro detyrime. Dhe këtë e bëri pa pyetur më parë Këshillin Bashkiak.
3) Dosja me 109 faqe fshehu emailin e Taulant Tushës me Klodian Zoton
Në dosjen hetimore për Arben Ahmetajn është bërë një skanim i detajuar i emaileve që u gjetën në kompjuterin e Klodian Zotos. Ky ishte njeriu që dirigjonte në prapaskenë zyrtarët shtetërorë për vendime që kushtonin qindra miliona euro.
Por në dosjen për Arben Ahmetajn, SPAK ka zbuluar një email që drejtori i përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha ia dërgonte Klodian Zotos.
“Më datë 17:5:2018 në orën 16:30 shtetësja Jonida Halili i ka përcjellë email shtetasit Taulant Tusha me titull “landfill” dhe ky email i është përcjellë nga Taulant Tusha shtetasit Klodian Zoto më datë 21:05:2018 ora 10.12. Bashkalidhur është një dokument tabelor me emërtimin “Plani i financimit të landfillit të Sharrës” thuhej në dosjen e SPAK për Arben Ahmetajn.
Por në dosjen me 109 faqe për hetimin e inceneratorit të Tiranës, çuditërisht ky email mungon.
Kjo nuk është rastësi. Tusha duhej të pyetej se si është njohur me Klodian Zoton? Kush ia dha emailin e tij për të komunikuar? Kush e porositi ta informojë për dokumentat e Bashkisë?
Antarët e tjerë të komisionit janë pyetur për komunikimet që kishin me Klodian Zoton. Ata janë përgjigjur se personi që i udhëzoi të komunikonin me të ishte eprori i tyre Alqi Bllako. Por Taulant Tusha nuk kishte asnjë lidhje me Bllakon.
4) Dosja me 109 faqe shmangu bonusin për kompaninë që nuk ekzistonte
Në dosjen për Arben Ahmetajn i jepet një rëndësi e veçantë faktit që antarët e komisionit për inceneratorin e Tiranës i dhanë një bonus prej 8 pikësh kompanisë së Klodian Zotos, në një kohë që kompania nuk ekzistonte. Nën presionin e shefave të tyre, antarët e komisionit i janë bindur verbërisht emaileve që vinin nga Klodian Zoto, i cili as nuk kishte begenisur ta regjistronte kompaninë në QKB.
Kjo pikë anashkalohet si një çështje pa rëndësi në morinë e shkeljeve që janë gjetur për inceneratorin e Tiranës.
Nëse do të ndiqte këtë linjë hetimi, siç përmendet në dosjen e Ahmetajt SPAK do të shkonte shumë larg. Sepse çështja bëhet delikate më vonë, kur bonusi për kompaninë inekzistente miratohet në qeveri.
Prandaj, për këtë “detaj” SPAK nuk është thelluar shumë, duke e përqëndruar hetimin tek “peshqit e vegjël”. E tillë ishte edhe porosia e kryeministrit në kongresin e fundit të partisë. “Kjo është Republika e Shqipërisë, – sqaroi Rama,- dhe jo Republika e Prokurorëve dhe gjykatësve”./Lapsi.al
The post Drejtësi me regji/ Çfarë fsheh dosja për inceneratorin e Tiranës appeared first on ALBUK UK NEWS.