Presidenti Joe Biden mori me vete dokumente të klasifikuara për luftën e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe për çështje të tjera të sigurisë kombëtare, kur u largua nga detyra e nënpresidentit në vitin 2017, por ai nuk do të përballet me akuza penale, thuhet në raportin e prokurorit të posaçëm të qarkulluar të enjten.
Ndër dokumentet ishte një memorandum i shkruar me dorë nga ish-presidenti Barack Obama në vitin 2009 kundër shtimit të planifikuar të forcave në Afganistan dhe shënime të tjera me shkrim dore nga seancat e informimit me të dhënat e zbulimit dhe takime të tjera të sigurisë kombëtare, thuhet në raportin e prokurorit të posaçëm Robert Hur.
Raporti i prokurorit thotë se zoti Biden i pati thënë një shkrimtari që po punonte me një libër kujtimesh të tij gjatë një bisede në shkurt 2017 në shtëpinë që kishte marrë me qira në Virxhinia, se “sapo i kishte gjetur gjithë gjërat e klasifikuara në katin poshtë”, thuhet në raport. Në raportin e prokurorit Hur thuhet se kjo bisedë ofron argumentat më të mira të mundshme për ngritje akuzash ndaj zotit Biden.
Me një fjalim të paparalajmëruar nga Shtëpia e Bardhë mbrëmjen e së enjtes, presidenti Biden mohoi aludimet në raportin e prokurorit të posaçëm Hurst se ai e pati ndarë informacionin e klasifikuar me të tjerë. “Nuk e ndava informacionin e klasifikuar. Nuk e ndava as me shkrimtarin (e kujtimeve) të mia”, tha ai.
Presidenti Biden reagoi me zemërim ndaj pikëpyetjes së ngritur nga prokurori i posaçëm për memorien e tij dhe nëse i kujtohej se kur kishte vdekur nga kanceri djali i tij i madh Beau. “Si guxon ta ngrejë një gjë të tillë?”, tha presidenti Biden.
“Kujtesa ime është në rregull”, tha ai duke shtuar se mendon se vazhdon të jetë personi më i kualifikuar për të shërbyer si president.
Sidoqoftë, prokurori Hur identifikoi në raportin e tij disa arsye përse nuk ngriti akuza ndaj zotit Biden, përfshirë faktin se vërtet dokumentat mund të jenë marrë gjatë periudhës kur ai ishte nënpresident, por se ai e kishte autoritetin për të mbajtur dokumente të tilla.
Prokurori Hur thotë se ndaj zotit Biden nuk do të ngriheshin akuza edhe nëse nuk do të ekzistonte politika e hershme e Departamentit të Drejtësisë për të mos ngritur akuza ndaj një presidenti në detyrë.
Anëtarët e ekipit ligjor të presidentit Biden i gjetën dokumentet e klasifikuara në zyrën e zotit Biden në një organizatë studimore në Uashington dhe në rezidencën e tij private në Uillmington, Dellauer.
Rivali i tij kryesor në zgjedhjet e nëntorit, ish presidenti Donald Trump, përballet me 40 akuza federale për marrjen dhe mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve tepër sekrete të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Florida, pas lënies së detyrës në vitin 2021, si dhe për pengimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i rimarrë këto dokumenta.
Megjithëse dy rastet kanë ngjashmëri, ato kanë edhe dallime të rëndësishme.
Shtëpia e Bardhë tha se avokatët e zotit Biden gjetën një numër të vogël dokumentash të klasifikuara dhe i dorëzuan ato më pas. Trump rezistoi t’i dorëzonte dokumentat derisa një bastisje e FBI-së në vitin 2022 gjeti rreth 100 dokumenta të klasifikuara, duke ngritur kështu edhe akuzat për pengimin e drejtësisë ndaj zotit Trump dhe dy punonjësve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago.
Prokurori i posaçëm Hur, i cili shërbente në poste të larta në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së ish presidentit Trump, u emërua në këtë detyrë në janar 2023 për të drejtuar hetimet.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, i emëruar nga presidenti Biden, caktoi zotin Hur në krye të hetimeve, për t’i dhënë procesit një nivel pavarësie nga drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë.
Hetuesit e prokurorit Hur intervistuan presidentin Biden në tetor, në kuadrin e procesit hetimor. Shtëpia e Bardhë është shprehur se presidenti Biden dhe ekipi i tij kanë bashkëpunuar me hetimin.
Sipas një politike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, ndaj presidentit Biden nuk mund të ngrihen akuza penale gjatë kohës që është në detyrë.
Gjetjet e raportit mund t’i shkaktojnë vështirësi politike zotit Biden, i cili është përpjekur të theksojë kontrastin me zotin Trump për çështje të etikës personale dhe të sigurisë kombëtare.
Raporti i zotit Hur dhe vendimi i tij për të mos ngritur akuza penale pritet të shkaktojë akuza për standarte të dyfishta nga zoti Trump dhe aleatët e tij republikanë.
Ish presidenti Trump u vetëdeklarua i pafajshëm dhe ka akuzuar prokurorët për motive politike. Gjyqi është caktuar për në muajin maj, por gjasat janë që të shtyhet./VOA
The post SHBA/ Prokurori i posaçëm: Nuk do të ketë akuza penale ndaj Presidentit Biden për dokumentet e klasifikuara appeared first on ALBUK UK NEWS.