Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur bashkimin e dy çështjeve, të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit. Kërkesa e tyre për heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi do të shqyrtohet më 8 mars në orën 09:00. Ndërkohë, seanca për Malltezin u shty pasi avokati ka kërkuar kohë që të njihet me informacionet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
“Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Jamarbër Malltezi. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte marrë dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore, dokumentuar nëpërmjet kopjes së fletëthirrjes, të nënshkruar personalisht nga ana e tij me shënimin “Nuk do jem personalisht. Do përfaqësohem nga avokatët”. Për sa më sipër, gjykata e konsideroi njoftimin si të kryer, duke qenë se rezultoi i shprehur edhe vullneti i tij lidhur me të drejtën për të mos marrë pjesë në gjykim (ndodhur në kushte e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ) dhe vijoi gjykimin në mungesë të kërkuesit/personit nën hetim Jamarbër Malltezi, duke u mbrojtur interesat e këtij të fundit nga ana e avokatit të zgjedhur me prokurë të posaçme.
Pasi gjykata ftoi palët për të parashtruar kërkesat paraprake, nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 246/6 të K.Pr.Penale, u paraqit informacioni 2 mujor për personat nën hetim Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha, si dhe njëherazi u kërkua që të procedohej me bashkimin e dy cështjeve gjyqësore në një të vetme, me kërkues Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, me objekt revokim mase sigurimi, sipas nenit 92 të K.Pr.Penale, kërkesë për të cilën mbrojtësi i zgjedhur i kërkuesit, dakortësoi qëndrimin e prokurores si dhe kërkoi kohë për tu njohur me informacionin.
Për sa më sipër, gjykata bazuar në nenet 79, 92 të K.Pr.Penale vendosi të bëjë bashkimin e dy kërkesave penale, në një të vetme me nr.125, datë 23.02.2024, pasi çmoi se çështjet ndodhen në të njëjtën gjendje dhe shkallë procedimi pranë të njëjtës gjykatë.
Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 08.03.2024, ditë e premte, ora 09.00, për t’i lënë kohë avokatit që të njihet me informacionin me shkrim të paraqitur nga ana e prokurorisë, në kuadër të nenit 246/6 të K.Pr.Penale”, njofton GJKKO.
The post Kërkojnë lirinë, GJKKO bashkon çështjet për Berishën dhe Malltezin! Ja pse u shty seanca për dhëndrin appeared first on ALBUK UK NEWS.