TIRANË– Teksa negociatat për rikthimin e Kuvendit në normalitet kanë nisur, kryeparlamentarja Lindita Nikolla do të ulë sot në orën 13:30 në tryezën e Konferencës së kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçin dhe Gazment Bardhin. Ky i funit du orë më herët ka thirrut një takim me grupin e deputetëve.
Bardhi nuk i është bashkuar prej thuajse 5 muajsh mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve, por bisedimet mund ta rikthejnë atë në tryezën e drejtuesve të grupeve parlamentare, çka do të ishte shenja e parë e një dakordësie në horizont për t’i dhënë fund kaosit.
Report Tv mësoi se një ditë më parë Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e Rithemelimit për çështjen e Zgjedhores.
Për këtë çështje, që është pika më e vështirë e negociatave, diskutimet janë që nëse Komisioni Bipartizan, ku Rithemelimi ka refuzuar të marrë pjesë përsa kohë bashkëkryetar është Enkelejd Alibeaj i PD, dështon të prodhojë një produkt deri në fund të marsit kur i mbaron mandati, të zhvendoset në një nën-komision në Kuvend, ku Gazment Bardhi kërkon të ketë më shumë anëtarë se PD zyrtare duke vlerësuar se ai është opozita reale.
Për reformën zgjedhore një përpjekje për të ulur palët e për të dëgjuar propozimet e tyre do ta bëjë dhe OSBE-ODIHR, që më 13 mars sjell në Shqipëri ekspertët e saj për një tryeze pune, ku edhe Bardhi mësohet se do të ketë përfaqësuesin e tij.
Sa i takon kërkesës së Rithemelimit për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret.
Ndërkohë, SHBA dhe BE ka përsëritur mesazhin për dialog dhe tha se palët duhet të angazhohen për një parlament funksional.
The post Negociatat për të ndalur kaosin në Kuvend, Nikolla ul sot në tryezë Bardhin e Çuçin appeared first on ALBUK UK NEWS.