John Green atasheu i ri britanik në Kosovë, në platformën “X” ka thënë se ushtritë e dy vendeve kanë bashkëpunim të fuqishëm, dhe forcat e armatosura të Kosovës dhe Britanisë mbesin miq të ngushtë që nga lindja e vendit.
“Kam qenë në këtë vend të bukur që nga dhjetori, dhe kam parë personalisht fuqinë e bashkëpunimit mbrojtës mes dy vendeve tona. Forcat e armatosura të vendeve tona mbesin miq të ngushtë, dhe kanë qenë që nga lindja e këtij vendi. Ky vit është natyrisht veçanërisht i rëndësishëm pasi shënon 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s këtu, intervenim ku Mbretëria e Bashkuar pati rol udhëheqës”, tha nënkoloneli Green në një videomesazh.
Atasheu gjithashtu thotë se aleanca e NATO-s është organizata më e suksesshme në histori të botës, dhe përmes misionit KFOR kjo aleancë ka ndihmuar që të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt në vend.
“Aleanca më e suksesshme mbrojtëse në histori, NATO, përmes KFOR-it, ka ndihmuar të ofrojë ambient të sigurt në Kosovë që nga ajo kohë. Mbretëria e Bashkuar ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin tonë si ndaj NATO-s ashtu edhe ndaj Kosovës, me zbarkimin e forcës rezervë strategjike në tetor. Vendet tona kanë plane të mëdha për të forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në vitin 2024”.
Green tha se Britania vazhdon dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen që ta ndihmojë FSK-në dhe ta trajnojë për synimet e përbashkëta të dy shteteve.
“Kjo, bashkë me mbështetjen tonë ndaj ofrimit të pajisjeve për Qendrën Ndërkombëtare për Trajnime për Kërkim-Shpëtim, do të kontribuojë në synimin tonë të përbashkët për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, potencoi nënkoloneli John Green.
The post Atasheu i ri britanik i Mbrojtjes: Britania dhe Kosova miq të ngushtë, do të vazhdojmë bashkë në synimet e përbashkëta appeared first on ALBUK UK NEWS.