Zëri i Amerikës: Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave që duhet vëzhguar gjatë vitit 2024. A ekziston rreziku i përsëritjes së konfliktit?
Marko Prelec: Është një shqetësim i vazhdueshëm për Grupin e Krizave. Nuk po paralajmërojmë një konflikt të shkallës së gjerë, por jemi të shqetësuar se ky konflikt do të kalojë në gjendje të ngrirë sërish. Në Kosovë shohim një qeveri që po shtrin sovranitetin e saj në veri, që kundërshtohet nga një pjesë e popullatës vendase, e cila vazhdon të mbështet tek institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë aty në mënyrë të jashtëligjshme. Ky proces ishte i pashmangshëm, diçka që duhej të ndodhte. Por mënyra se si është bërë ishte alarmuese dhe shqetësuese për popullatën vendase. Ka patur rezistencë nga – varet si doni t’u referoheni – kriminelë, grupe paramilitare, apo siç i konsideron qeveria e Kosovës si terroristë. Rezistenca e tyre mund të vazhdojë. Por, nuk mendoj se do të ketë përshkallëzim më të madh sa ai që kemi parë deri tani, që ka qenë relativisht i vogël.
Por vazhdon të mbetet shqetësim fakti se si Kosova do t’i integrojë me plotësisht banorët serbë. Një pjesë e tyre sigurisht do të largohen si pasojë. Marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë ka gjasa të jenë në një gjendje thellësisht të ngrirë në të ardhmen e afërt, zhvillim ky shumë i keq për Kosovën, për Serbinë dhe për tërë rajonin.
Zëri i Amerikës: Ju keni theksuar nevojën për dialog si mënyra për të tejkaluar tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ka një dekadë që dialogu nuk ka arritur të zbusë tensionet. Cilët duhet të jenë hapat e ardhshëm në këtë proces?
Marko Prelec: E vërtetë, dialogu nuk ka prodhuar shumë rezultate, por nëse shikoni tërë periudhën historike, që kur Bashkimi Evropian filloi të ndërmjetësojë rreth vitit 2011, janë shënuar arritje të rëndësishme. E tërë historia e integrimit të serbëve në Kosovë është bërë për shkak të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por, keni të drejtë plotësisht dhe vitet e fundit ka shumë pak rezultate, për të mos thënë aspak. Ajo që kemi parë janë veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës që ka ndryshuar gjendjen në terren. Prandaj është shumë e vështirë të thuhet, që ka ardhur koha për t’iu kthyer dialogut. Do të dëshiroja të shihja që qeveria e Kosovës të fillojë të veprojë duke u kujdesur për interesat e pakicës serbe në Kosovë, këta janë qytetarë të saj dhe janë një grup i lënë jashtë vëmendjes. Ata përballen me diskriminim zyrtar dhe jozyrtar. Janë të frikësuar, kanë probleme dhe u duhet dhënë ndihmë.
Zëri i Amerikës: Si duhet të veprojë qeveria e Kosovës me këtë komunitet? Ju keni theksuar krijimin e asociacionit. Por përtej këtyre marrëveshjeve politike, çfarë mund të bëhet për të zbutur tensionet me komunitetin serb? Ju ishit atje, e keni parë gjendjen në terren…
Marko Prelec: Mendoj se janë disa aspekte. Asociacioni është vetëm një detyrim, që Kosova e ka ndërmarrë dhe që i duhet ta përmbushë. Në kornizën e asociacionit janë përfshirë shumë elementë. Në raportin tonë kemi propozuar disa çështje, për shembull Serbisë t’i lejohet të vazhdojë drejtimin e sistemit shkollor. Nuk ka alternativë tjetër ndaj atij sistemi në atë pjesë prandaj duhet të vazhdojë. Të lejohet funksionimi i shërbimeve mjekësore të sistemit të Serbisë, të pajtohen që njerëzit të vazhdojnë t’i mbajnë vendet e tyre të punës, për të cilat paguhen nga Serbia për të paktën një periudhë tranzitore ndërkohë që Kosova, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare punojnë bashkërisht për të siguruar punësim të qëndrueshëm për këtë grup të njerëzve dhe për t’u ofruar atyre siguri. T’u jepet një forcë policore që përputhet me përkatësinë e tyre etnike. Por përtej kësaj, gjërat simbolike të cilat tregojnë se qeveria nuk i konsideron ata si problem, por i sheh si njerëz të saj, do të ndihmonin shumë. Për shembull, së fundmi (Kryeministri) Kurti ishte në veri të Kosovës, në fshatin Çabër për të përuruar instalimin e internetit me shpejtësi të lartë. Gjë e mirë, por ai shkoi në një fshat shqiptar, një nga fshatrat e paktë me shumicë shqiptare atje. Një vizitë e tillë sinjalizon se këta janë njerëzit për të cilët kujdeset, ndërsa të të tjerët ndoshta i sheh si problem. Duhet ta ndryshojë këtë qasje.
Zëri i Amerikës: Ju keni jetuar për një kohë të gjatë në Kosovë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga marrëdhënie ndëretnike atje?
Marko Prelec: Marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve nuk janë të mira. Para dy vitesh isha pjesë e një grupi që po realizonte një anketë për Kombet e Bashkuara, të përqëndruar në pikëpamjet e rinisë dhe armiqësia më e madhe që gjetëm në tërë Ballkanin Perëndimor ishte në Kosovë, mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës. Ka vullnet të ulët për pajtim, për t’u përballur me të kaluarën dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kur je atje e sheh që nuk është aq vështirë për njerëzit ta takojnë njëri tjetrin dhe të ballafaqohen me njëri tjetrin. Kur shkon në dyqan, takon dikë nga grupi tjetër dhe çdo gjë duket në rregull. Por përsa i përket marrëdhënieve të thella, miqësive dhe gjërave të tjera që lidhen me pajtimin, kjo nuk po ecën fare mirë.
Zëri i Amerikës: Në raport ju i bëni thirrje BE-së që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të gjetur burimin e armatimit të rëndë dërguar dërguar paramilitareve serbe në Kosovë. Përse mendoni qe Serbia po furnizon me armë paramilitarët serbë?
Marko Prelec: Është pyetje me vend dhe pyetje për të cilën nuk kam përgjigje të mirë. Nuk besoj që dikush e di saktë. Është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit. Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur.Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radojçiçi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thoja se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës.Por nga ana tjetër armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njesitë speciale të Kosovës. Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë.
Zëri i Amerikës: Çdo të thotë kjo për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj rajonit?
Marko Prelec: Nuk është sekret që Serbia nuk pajtohet me humbjen e Kosovës dhe se ende shpreson që ta rimarrë Kosovën, sigurisht jo të tërën, dhe këto shpresa janë të përqëndruara në veri, në pjesë e banuar me shumicë serbe. Ka pasur përpjekje në dy periudha të ndryshme që të negociohet këmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto përpjekje kanë dështuar gjatë viteve të fundit, por nuk mendoj se Serbia ka hequr dorë. Por përtej kësaj, nuk është e qartë. Shumë vëzhgues, përfshirë mua, e shohim logjikën e të menduarit të qeverisë në Beograd si jo të qartë dhe të vështirë për t’u lexuar. Andaj na mbetet ta gjykojmë përmes veprimeve të tyre. Dhe nganjëherë, si në këtë rast, ato flasin më shumë se fjalët.
Zëri i Amerikës: Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?
Marko Prelec: Ngjarja në Banjskë ishte me të vërtetë një kthesë e madhe. Serbia dhe mendoj serbët e Kosovës sigurisht ndihen të humbur shumë në këtë ngjarje. Kjo u kushtoi një pjesë të mirë të simpatisë ndërkombëtare që e kishin siguruar ndër vite. Dhe konfirmoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës se në veri nuk po ballafaqohej me një popullsi të rebeluar apo të pakënaqur, por me një operacion terrorist të manipuluar nga Serbia për të cilin përgjigja e duhur ishin operacionet anti-terroriste të drehjtuara nga policia speciale. Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se ky ishte një gabim i Beogradit dhe atyre njerëzve mes komunitetit serb në Kosovë që kanë qenë të interesuar për një rezistencë të tillë të organizuar. Do të befasohesha po të shohim diçka të ngjashme sërish, por nuk mund ta përjashtojmë. Ka lloje të ndryshme njerëzish dhe shumë armë në rajon, sigurisht. Por, nuk po parashikojmë ndonjë konflikt të shkallës së gjerë.
Zëri i Amerikës: Atëherë cila do të jetë rrugëdalja nga ky ngërç?
Marko Prelec: E vetmja rrugëdalje është marrëveshja. Realiteti i situatës në Kosovë është i tillë, që vendi nuk mund të zgjerojë njohjet ndërkombëtare më tej se ç’ka arritur, pa zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë. Ka siguruar njohjen nga gjysma e vendeve anëtare të OKB-së dhe nuk pritet të sigurojë të tjera. Nuk ka mbetur shumë hapësirë. Tani shpresojmë që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Por nuk mund të shkojë më larg se kaq ngaqë nuk ka mbetur më se çfarë të bëjë. Çështja madhore tani është të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Por që kjo marrëveshje të funksionojë, duhet të jetë një marrëveshje që jep dhe merr. Ajo që Kosova mund t’i ofrojë Serbisë është një formë e mirë trajtimi e pakicës serbe. Asociacioni i komunave serbe duhet të kishte qënë pjesë e kësaj. Ky është vetëm një aspekt që është negociuar, por ka alternativa tjera. Gjithsesi, duhet të ketë kompromise nga të dyja palët, por për këtë nuk ka gadishmëri.
Zëri i Amerikës: Ekzistojnë paralajmërime se Rusia mund ta shfrytëzojë një situatë të tillë. Në kontekstin e luftës në Ukrainë, Ballkani është konsideruar si një vend i lehtë për të shkaktuar trazira. A ekziston mundësia që ky konflikt të zgjerohet në Ballkan?
Marko Prelec: Pyetja që duhet shtruar është a ka njerëz në Ballkan që do ta shfrytëzojnë Rusinë se sa anasjelltas. Rusisë i intereson pak kjo pjesë dhe qëndrimi i saj prej vitesh është që të krijojë vështirësi për NATO-n kudo që të ketë mundësi. Atyre u intereson kryesisht zgjerimi i NATO-s dhe vendet ku mund të veprojë me një kosto të ulët, pa investuar kapital politik në këtë rajon meqë për të është larg me mundësi të kufizuara veprimi. Me angazhimin e tyre në luftën me Ukrainën, kjo mundësi tani është kufizuar edhe më shumë. Por është fakt që aktorët nëpër tërë rajonin janë në pritje të zhvillimeve. Ata po presin rezultatin e zgjedhjeve në Shtete e Bashkuara në nëntor, të zgjedhjeve të ndryshme në Evropë, zgjedhjeve në Parlamentin Evropian e disa të tjera që mbahen këtë vit. Ata po presin të shohin se çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë, çfarë do të ndodhë ndërmjet Tajvanit dhe Kinës. Gjithsesi në Ballkan ka aktorë që mund t’i cilësojmë si fuqi revizioniste, të cilët janë të pakënaqur me mënyrën se si përfunduan luftërat e viteve ‘90 dhe që duan t’i ndryshojnë marrëveshjet. Përpos Kosovës dhe Serbisë, është edhe Bosnja dhe Hercegovina. Nëse zhvillimet shkojnë në drejtim të keq në skenën botërore dhe në skenën evropiane, kjo mund t’i fuqizojë aktorët revizionistë të cilët mund të fillojnë të bashkëpunojnë dhe të sfidojnë ‘status-kuo-në’. Një situatë e tillë do të ishte shumë destabilizuese dhe e rrezikshme dhe mund të shihnim ndonjë konflikt të armatosur.
The post Prelec: Kosova dhe Serbia nuk janë të interesuara për normalizim, kërcënon ngrirja e sërishme e konfliktit appeared first on ALBUK UK NEWS.