Të lindurit pas vitit 2009 në Mbretërinë e bashkuar nuk do të lejohen të blejnë cigare apo vape (vejp). Qeveria e drejtuar nga Rishi Sunak po përpiqet ta kthejë projektin në një ligj përpara zgjedhjeve të ardhshme në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Kush ka lindur pas vitit 2009 në Britaninë e Madhe nuk do të lejohet të blejë cigare sipas një plani që u diskutua në parlament!
Masat, të mbështetura nga kryeministri Rishi Sunak, kaluan pavarësisht kundërshtimit nga disa figura kryesore konservatore, përfshirë dy ish-kryeministra.
Njëri prej tyre Liz Truss argumentuan se në këtë mënyrë kufizohet liria personale. Sekretarja e Shëndetësisë Victoria Atkins u tha deputetëve “nuk ka liri për varësitë”.
Plani sipas saj do të krijonte një brez më pak tymues. Projektligji për Duhanin dhe Vapes u miratua me 383 vota pro dhe 67 kundër. Nëse kthehet në ligj, ligjet e MB-së për duhanin do të jenë ndër më të rreptat në botë.
Qasja e tyre mendohet se është frymëzuar nga një ligj i ngjashëm në Zelandën e Re, i cili më vonë u shfuqizua pas një ndryshimi në qeveri.
Javën e kaluar, ish-kryeministri Boris Johnson e quajti ndalimin e pirjes së duhanit “absolutisht të pavend” gjatë një fjalimi në një konferencë konservatore në Otava, Kanada.
Ka ende disa hapa të tjerë të nevojshëm përpara se projekti të kthehet në ligj, si janë votat në Dhomën e Lordëve, megjithatë analistët thonë se është e mundur të kalojë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, që priten në gjysmën e dytë të 2024.
Shifrat aktuale tregojnë se një në pesë fëmijë ka provuar të tymosë cigare ose të përdori vape pavarësisht se është i paligjshëm, ndërsa numri i fëmijëve që e përdorin tashmë vape është gati 4fishuar në tre vitet e fundit.
The post NDALIMI I DUHANIT, PROBLEM ANGLEZ/ Truss: Po kufizoni lirinë personale! Atkins: S’ka liri për varësitë appeared first on ALBUK UK NEWS.