Rusia ka vendosur veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj një rezolute që u kërkonte të gjitha vendeve të parandalonin garën e armatimit të hapësirës.
Projekt/rezoluta, e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, synonte të riafirmonte një parim të vendosur në vitin 1967, i njohur si Traktati i Hapësirës.
Amerika ka paralajmëruar disa herë se Rusia po zhvillon një armë hapësinore anti-satelitore dhe bërthamore. Nga ana e saj, Moska ka deklaruar se i përmbahet plotësisht traktatit ekzistues.
Drafti, i paraqitur të mërkurën, u kërkonte të gjitha shteteve, sidomos atyre me kapacitete hapësinore, të kontribuonin për objektivin e përdorimit paqësor të hapësirës dhe parandalimin e një gare të re armatimesh.
Gjithashtu, ajo u bënte thirrje vendeve t’i përmbahen traktatit të mëparshëm, në bazë të të cilit të gjitha palët kanë pranuar të mos vendosin në orbitën përreth Tokës objekte që mbajnë armë bërthamore apo armatime të tjera të shkatërrimit në masë.
Në seancën e mbajtur në Këshillin e Sigurimit, 13 nga 15 vende anëtare votuan pro, ndërsa Rusia, një ndër 5 vendet anëtare të përhershme, vendosi veton. Anëtarja tjetër e përhershme, Kina, abstenoi.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas Greenfield, e cilësoi lëvizjen si “enigmatike”. “Rusia vendosi veton për një rezolutë që afirmon një detyrim ligjor. Vetë presidenti Putin e ka thënë publikisht se Rusia nuk ka ndërmend të vendosë armë bërthamore në hapësirë, ndaj vetoja ngre pyetjen përse?”, deklaroi Greenfield.
The post Armët bërthamore në hapësirë, Rusia vë veto ndaj rezolutës parandaluese në KS appeared first on ALBUK UK NEWS.