Kisha Katolike përkujton dhe kremton çdo vit martirët e lumë shqiptarë.
Në Katedralen e Shën-Shtjefnit në Shkodër ishte argjipeshkvi metropolit i Dioqezës Shkodër-Pult, imzot Anxhelo Masafra, i cili mbajti liturgjinë e shenjtë të meshës pontifikale solemne për festën e martirëve.
Para besimtarëve, duke iu referuar fjalës së fundit para pushkatimit të martirëve, imzot Masafra theksoi rëndësinë e faljes duke e lidhur me shoqërinë e sotme.
“Kur nuk dimë të falim, s’dimë të themi më fal kur gabojmë, është çudi. Kanë thënë ‘Fal të gjithë ata që më kanë procesuar, më kanë dënuar dhe ata që janë ngarkuar të më pushkatojnë.’ Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipëria. Fal të gjithë ata që çdo moment më kanë bërë keq. Fal!” tha imzot Masafra.
Aktivitetet e argjipeshkvisë në përkujtim të martirëve të Shqipërisë nisën një ditë më parë me kremtimin e Natës së Martirëve.
Për shkak të kushteve atmosferike në Shkodër, procesioni me figurat e martirëve në rrugët e qytetit u zhvendos brenda katedrales së Shën-Shtjefnit.
Martirët e Kishës Katolike, që nga diktatura komuniste në Shqipëri u persekutuan ndonëse të pafajshëm, u torturuan dhe u vranë.
Ata u shpallën të lumë në Shkodër më 5 nëntor 2016 me një meshë solemne të kremtuar në kishën katedrale të Shën-Shtjefnit, kryesuar nga prefekti i atëhershëm i kongregatës së Vatikanit për çështjen e shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato.
Ishte vetë papa Françesku që nënshkroi më 26 prill 2016 dekretin zyrtar që u njihte martirizimin atyre të cilët i pa mbi bulevardin e kryeqytetit “Dëshmorët e Kombit” më 21 shtator 2014, gjatë vizitës së tij papnore njëditore në Tiranë.
The post Në përkujtim të martirëve të fesë, imzot Masafra: E rëndësishme është të falësh! appeared first on .