Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, tha të enjten në Tiranë se Shqipëria dhe Italia nuk ishin konsultuar me Komisionin Europian për nënshkrimin e memorandumit që parashikon ndërtimin në territorin shqiptar të kampit për refugjatët që zbarkojnë në brigjet italiane.
“Komisioni Europian është informuar, por nuk është konsultuar për memorandumin e mirëkuptimit,” tha ai gjatë një konference për shtyp me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ku prezantoi progres-raportin e ri të KE-së për Shqipërinë. Soreca bëri të ditur se Brukseli e ka marrë tekstin e marrëveshjes vetëm 2 ditë më parë duke e vlerësuar të parakohshëm një vlerësim për dokumentin, i cili, sipas tij, -“ka më shumë vlerë politike, por jo vlerë ligjore”.
“E kuptojmë që ky është hapi i parë dhe do të duhet të përkthehet në ligj dhe këtu do të bëjmë vlerësimin tonë, ka detaje që duhen identifikuar në ligj,” tha më tej ai, duke sqaruar se marrëveshje të tillë mund të bëhen, por ato duhet të respektojnë ligjet ndërkombëtare. Për numrin dy të qeverisë shqiptare, Belinda Balluku, marrëveshja e firmosur të hënën në Romë nga kryeministri Edi Rama me homologen italiane Giorgia Meloni nuk cënon të drejtën ndërkombëtare.
“Nëse do të ishte bërë mes dy shteteve të BE do ishte normale apo jo?” tha Balluku duke shtuar se “nuk duhet të shqetësohet njeri për qëllimin dhe as nuk cënon të drejtën ndërkombëtare”. Sipas Ballukut, marrëveshja nuk e ka kryer rrugëtimin e saj ligjor pasi pritet të miratohet në Kuvend, ndërsa akuzoi kritikuesit e marrëveshjes se “për arsye të luftës politike arrijnë deri në pikën që merren me ngjyrën e lëkurës së emigrantëve”.
Kryeministri shqiptar është angazhuar që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare, sipas protokollit të nënshkruar nga Rama dhe Meloni.
Marrëveshja kritikohet nga opozita në Itali dhe Shqipëri si dhe nga organizatat e të drejtave të njeriut. Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International, kritikoi marrëveshjen si “të paligjshme dhe të pazbatueshme”, një nga kritikat më të ashpra në drejtim të shkeljes së të drejtave të njeriut ndaj Ramës në të gjithë karrierën e tij politike.
The post “Komisioni Europian është informuar, por…”, Soreca: BE nuk u konsultua për marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët appeared first on .