Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka kujtuar se Gjykata Kushtetuese i ka vendosur një afat Kuvendit, i cili duhet që brenda janarit të vitit 2024 të bëjë ndryshimet apo plotësimet në kodin zgjedhor.
Duke folur të enjten në Edicionin e tretë të Samitit të Diasporës në Panelin “Politika e Jashtme dhe Diaspora” Celibashi u shpreh ndër të tjerat për kohën se kur mund të bëhet e mundur që shqiptarët në diasporë të bëhen pjesë e proceseve zgjedhore në Shqipëri e të kenë mundësinë të votojnë.
“Gjykata Kushtetuese i ka vendosur një afat Kuvendit të Shqipërisë, i cili është janari i vitit 2024, brenda të cilit Kuvendi duhet të bëjë ndryshimet apo plotësimet në kodin zgjedhor”, u shpreh ai.
“Çështjet, të cilat i ka listuar Gjykata Kushtetuese si të nevojshme, kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit apo të përgatitjes së listës së votuesve të atyre që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe se si do të llogaritet vota e tyre”, theksoi Celibashi.
Në vlerësimin tim, u shpreh ai, “këto tre çështje nuk kërkojnë angazhim mendor të sofistikuar, janë çështje mjaft të thjeshta, por e kuptojmë të gjithë që në fund të fundit është edhe çështje vullneti apo realiteti politik vendas”.
Kreu i KQZ nënvizoi se “në fund të fundit thelbi është gjetja e një kompromisi të përbashkët mes pozitës dhe opozitës për t’u ulur e për të ofruar një zgjidhje të përbashkët”.
The post Celibashi: Kuvendi, afat brenda janarit 2024 për ndryshimet në kodin zgjedhor për votën e diasporës appeared first on .