Zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë në Malin e Zi, Nik Gjeloshaj në një intervistë për “Ditari” i A2CNN u pyet mbi ndikimin që do të ketë në kursin e qeverisë së re në Podgoricë, zgjedhja e Andrija Mandiç si kryeparlamentar.
Mandiç, i cili është një nga liderët e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, njihet gjerësisht si pro-serb dhe pro-rus, madje me lidhje të ngushta me pushtetin e Vladimir Putin.
Zgjedhja e tij në krye të Kuvendit shqetësoi edhe SHBA-në e BE-në, por duket se Gjeloshaj ka besim se Mandiç do t’i përmbahet marrëveshjes së koalicionit, ku sipas tij ka pranuar një obligim për të shmangur gjuhën agresive ndaj Bashkimit Europian dhe mbështetjen për Rusinë.
“Sinqerisht mendoj se me strukturën e qeverisë aktuale dhe me atë që kemi nisur në gjyqësor dhe me disa vendime të tjera që do merren deri në fund të vitit, Mali i Zi do të fitojë rekomandimin për mbylljen e 8 kapitujve që kanë mbetur pa përfunduar. Mendoj se në këtë rrugë të qeverisë nuk mund të ndikojë askush.
As kryeparlamentari dhe as e shkuara e tij, me atë çfarë është obliguar në marrëveshjen që ka nënshkruar, që është obliguar me të kundërtën e asaj që ka deklaruar shumicën e kohës. Ajo do të jetë politika e qeverisë së Malit të Zi dhe nuk do të lëvizi asnjë milimetër nga integrimi euroatlantik, unioni europian dhe vlerat perëndimore”, tha Gjeloshaj.
The post Kryeparlamentari pro-Putin në Malin e Zi, Gjeloshaj zbulon kushtin që i kanë vendosur në marrëveshjen e koalicionit appeared first on .