*Shkruar nga një efektiv i policisë së Durrësit, që kërkon të mbetet anonim
Tek lexoja në portale për fazën e dytë të operacionit “Metamorfoza” më ra në mendje qëllimi dhe ideja se pse kisha filluar policinë. Ditë pas dite duke nxjerrë ndonjë lajm të ri në lidhje me ç’ndodh ndërmjet pjesëtarëve të grupeve kriminale të lidhur këto me funksionarë policie, të liruar ose në pozita pune, befas më erdhi një shtrëngim i çastit dhe një trishtim.
Shumica e të rinjve, që kanë nisur apo pritet të nisin karrierën e tyre policore janë të shtyrë nga pasioni, disa e kanë të lindur e disa të diktuar nga familjarët. Për disa kjo karrierë është një trampolinë për t’u bërë dikush e pas bërjes dikush, të bëhesh i pasur.
Koha ka treguar që jo gjithmonë më i ndershmi ka fituar, lidhur kjo me faktin që i ndershmi dhe ai i cili synon të realizojë punën në përputhje me ligjin hera-herës shtyhet apo tentohet t’i zihet goja e hera herës i gjejnë një vend ku e strukin dhe ai nuk ka mundësi të “lëvizë”.
Në mendje më vijnë shumë punonjës policie të njohur në mënyrë virtuale, që për një arsye apo një tjetër, në të mirë e në të keq kanë shërbyer dhe kanë dhënë jetën për atë uniformë. Gjaku i tyre më shumë sesa familjarëve, të tjerëve nuk i bën po të njëjtën përshtypje. Shoh sesi në një mënyrë apo në një tjetër përdhoset çdo ideal, çdo pasion, çdo jetë e rënë në detyrë nga po të njëjtët që me maskat që veshin për të na hedhur hi syve tregojnë që janë duar pastër.
Cili do të ishte kuptimi që të luftonim krimin, kur krimi jemi ne?
Cili do të ishte kuptimi, kur të kuptonim që çdo i rënë në detyrë ka patur armik një koleg të tij?
Cili do të ishte kuptimi dhe ndjesia kur të provojmë në lëkurën tonë tradhtinë e eprorit?
E pra kuptime ka shumë, por ndershmëri dhe realitet pak. Ndodh kudo në botë që të ketë tradhti mes të njëllojtëve, por ndodh gjithashtu që ideali dhe pasioni për atë uniformë që mban veshur të jetë mbi gjithçka. Të jetë krenari.
Me çfare arsye dhe çfarë morali do i themi të rinjve të bashkohen në organizatën tonë. Mbi cilat shtylla morale e dinjiteti do të arrijmë që t’i afrojmë ata?
T’i themi afrohu në gjirin tonë, sepse bëhesh i pasur?
Afrohu në gjirin tonë, sepse bëhesh trafikant?
Afrohu në gjirin tonë, sepse bëhesh vrasës?
A ka vlerë kjo?
A ka moral e virtyt?
Boll o të marrë, boll.
Mjaft o të pangopur, mjaft.
Ka ardhur koha t’i kthejmë borxhin çdo të reni në detyrë për këtë vend të begatë e me plot halle të lindura po nga ne.
Pse?
Sepse mbi pasion vëmë interesa personale.
Mbi moral vëmë egon e sëmurë.
Mbi drejtësi vëmë maskat që vendosim çdo ditë dhe hiqemi si të ndershëm.
Dua të bëhem Polic. Por Polic si ai i vërteti ama…
The post Trishtimi i një efektivi në Durrës: Dua të bëhem Polic, por si ai i vërteti ama.. appeared first on .