Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, shfrytëzoi fjalimin tradicional të para Krishtlindjeve, për t’i bërë një rezyme aktualitetit në klubin që ai drejton.
Pavarësisht problematikave me të dëmtuarit dhe mungesat e tjera, pjesa e parë e sezonit ka qenë mbresëlënëse në Madrid, me Realin që është kualifikuar në vendin e parë në grupe në Ligën e Kampioneve – për të tretën herë në historinë e vet arrin t’i fitojë të gjitha ndeshjet – ndërkohë dhe në La Liga gjendet në vendin e dytë, dy pikë larg Gironës kryesuese. Perez ka shkuar përtej këtij sezoni, duke folur për një dekadë të suksesshme në klubin e bardhë dhe për atë që e pret Realin në vazhdimësi, ku projekti më i madh dhe që shumë shpejt do të finalizohet është rikonstruksioni i plotë i stadiumit “Santiago Bernabeu”.
SUKSESI SPORTIV – Perez fillimisht ka mbrojtur punën e kryer nga i gjithë klubi, gjë që e ka lejuar atë të arrijë një cikël suksesi të paparë. Puna korale, nga të gjitha seksionet dhe departamentet e klubit, ka qenë çelësi që klubi i bardhë të fitojë 50 trofe në 13 vitet e fundit.
“Ecim përpara dhe falë kësaj përpjekjeje të pamasë që ne përpiqemi të aplikojmë në të gjitha fushat. Duke bërë një analizë të përgjithshme të punës sportive, ky ka qenë një nga ciklet më të suksesshme në historinë e klubit. Në 13 vitet e fundit dhe me pandeminë në mes, Reali i Madridit ka fituar 50 trofe, 25 në futboll dhe 25 në basketboll, ndër të cilët kanë fituar pesë Champions në futboll dhe tre Euroliga në basketboll. Prandaj, ne jemi shumë krenarë për atë që kemi arritur.
Gjithmonë falë talentit të disa lojtarëve dhe trajnerëve që tashmë janë legjenda në Madrid dhe në sportin botëror. Ata janë referenca të asaj që përfaqësojnë vlerat tona, puna, sakrifica, përmirësimi, shoqëria, respekti, loja e ndershme, modestia dhe solidariteti, vlerat në të cilat formohet çdo ditë ekipi ynë. Ne do të vijojmë të jemi më të mirët në botë”, ka deklaruar Perez.
STADIUMI – Numri një i Realit të Madridit ka folur edhe për atë që e ka cilësuar si xhevahiri i klubit, stadiumi tashmë i rinovuar tërësisht “Santiago Bernabeu”. Përtej modestisë, Perez ka deklaruar se stadiumi i ri i Realit do të jetë një perlë që do ta ketë zili e gjithë Europa. “Stadiumi i rikonstruktuar do të na lejojë të vazhdojmë të aspirojmë të jemi liderë në çështjet sportive, ekonomike dhe sociale.
“Bernabeu” do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Realit por dhe vetë qytetit të Madridit. Ky stadium do të jetë një nga qendrat më të mëdha të argëtimit në Europë dhe do të jetë një nga referencat botërore për ngjarjet globale siç po e shohim tashmë. Tani jemi shumë afër përmbushjes së ëndrrës së të gjithë tifozëve të Madridit”, tha ai.
The post Reali ka fituar 50 trofe në 13 vjet, presidenti Perez: Do mbetemi më të mirët! Kemi një stadium që na e ka zili gjithë Europa appeared first on ALBUK UK NEWS.