Burgu i sigurisë së lartë në Peqin është tronditur sot nga një ngjarje shumë e rëndë dhe e pazakontë. Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë për krime të renda dhe i cilësuar si një personazh me rrezikshmëri të lartë, ka qëlluar me armë në ambientet e ajrimit dy të burgosur të tjerë përjetë, Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja.
Lleshi ka humbur jetën, ndërsa Shaqja ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital.
Ky krim dyshohet se mund të ketë qenë i mirëmenduar, pasi arma thuhet se është futur me dron, dhe se mes tre personave nuk ka pasur një përplasje në ambientet e burgut, as para dhe as në momentin e ngjarjes.
Mjacaj është dënuar në 2015 me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë në Dukagjin, si dhe më herët akuzohej për vrasjen e një fëmije 10-vjeç, ndërsa me urdhër të Ministrit Ulsi Manja ai sot do të futej në regjimin “41biss”.
Ndërkohë pas ngjarjes ministri i Drejtësisë ka dhënë urdhër që të gjitha burgjet e vendit të kalojnë në sigurinë më të lartë, ndërsa mësohet se do të merren në pyetje të dënuar dhe drejtues të institucioneve ku më parë Mjaca ka vuajtur dënimin. Kjo me qëllim mbledhjen e informacioneve për të hedhur dritë nëse kjo ngjarje ka qenë e planifikuar më parë.
Kujtojmë se Mjacaj pasi kreu krimin e rëndë, tentoi që të merrte peng disa persona, por në momentin që ky plan nuk i ka ecur, është vetëizoluar në një nga qelitë, dhe ka kërcënuar se nëse dikush i afrohet do ta qëllojë.
Pas rreth një ore, ai është vetëdorëzuar dhe më pas është marrë në pyetje nga drejtues të lartë.
The post Vrasja dhe plagosja në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, dyshohet se krimi ishte i mirëmenduar, Mjacaj kishte… appeared first on ALBUK UK NEWS.