Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një vizitë në Bajram Curri, ku kërkoi që vëmendjen kryesore të Policisë ta marrë hetimi i ngjarjeve të vjetra, me qëllim dhënien fund të pandëshkueshmërisë së të shkuarës.
Balla kërkoi një kujdes të shtuar ndaj sigurisë së turistëve.
“Asnjë ngjarje kriminale me numrin e lartë të turistëve, që erdhën për të shijuar burimet e bukura natyrore. Kemi arritur në konkluzionin se forca dhe sundimi i ligjit në Tropojë është në koeficientin më të lartë dhe merita i takon secilit prej jush, drejtuesve dhe mbi të gjitha banorëve të zonës. Vitin e ardhshëm do të kemi më shumë turistë, duhet rritur përgjegjësia.
Hetimi i ngjarjeve të vjetra dhe dhënia fund e pandëshkuemërisë duhet të jenë vëmendja kryesore. Edhe krimet e së shkuarës, kryesisht ato ndaj pronës e personit, ne duhet që të vazhdojmë punën hetimore. Nuk duhet t’i gëzohemi faktit që tani s’kemi ngjarje kriminale, por kemi përgjegjësinë që të bëjmë drejtësi. Publiku na vlerëson për çdo hap që hedhim edhe në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Ministri foli për domosdoshmërinë e forcimit të kontrolleve policore, kundër armëmbajtjes pa leje.
“Duhet dekurajuar armëmbajtja pa leje. Do të minimizosh fenomenin e ngjarjeve kriminale, lufto armëmbajtjen pa leje! Sepse pjesa më e madhe e ngjarjeve ndodhin në gjaknxehtësi dhe posedimi i një arme pa leje është burim i një krimi të rëndë, kundër jetës së një personi. Thirrje banorëve, t’i vetëdorëzojnë armët pa leje. Na duhet të rritim komunikimin me komunitetin. Do të nisim një fushatë, vitin e ardhshëm, duke incentivuar dorëzimin e armëve pa leje”, apeloi ministri.
Ministri tha se puna duhet të intensifikohet në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndaj pronës dhe mjedisit. Këto mbeten sipas tij, ndër detyrat kryesore të Policisë dhe Prokurorisë.
“Punën e policisë do ta bëni ju, ministri do të bëjë punën për trajtimin e duhur financiar të PSH. Jam i gëzuar që ditët në vijim bashkë me KM do të shkojmë tek policët që kanë fituar kredi falas për banesa nga qeveria. Janë mbyllur 92 të parat, vitin e ardhshëm do jenë 300 kredi dhe 500 pas 2 vitesh. Me aktin normativ kemi siguruar fondin për pagesën e ushqimit, për çdo punonjës policie, mbi 1 milion lekë (të vjetra) në vit. Me fondin që kemi përcaktuar për rritjen e pagave për 2024, synoj të shkojmë tek një rritje 30% të pagës së çdo polici, nga 1 korriku 2024, duke i dhënë prioritet nivelit bazë. Duhet të gjejmë një zgjidhje edhe për orët jashtë orarit”, deklaroi Balla.
The post “Të zbardhen krimet e të shkuarës!”- Ministri i Brendshëm Balla: Hetim i ngjarjeve të vjetra, prioritet. Paralajmërimi për fushatën e re për armët pa leje appeared first on ALBUK UK NEWS.