Gjykata e Posaçme e Shqipërisë njoftoi të shtunën se e ka vendosur nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Berisha, 79 vjeç, do të mbikëqyret nga policia në banesën e tij, pasi pas këtij vendimi e ka të ndaluar largimin nga ajo dhe komunikimin me persona të tjerë, përjashtuar ata me të cilën jeton, njoftoi gjykata.
Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) kishte kërkuar arrest shtëpiak për Berishën, duke thënë se ai e kishte shpërfillur vendimin e prokurorëve për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. Avokati i Berishës, Genci Gjokutaj e kundërshtoi vendimin dhe tha se do të bëjë ankesë ndaj tij. Mbrojtja e ish-kryeministrit ka pesë ditë kohë për t’u ankuar ndaj vendimin pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit. Më 21 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit Berishës.
Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.
Për çfarë akuzohet Berisha?
Berisha u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë. Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.
Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve. Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997. Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.
The post “I ndalohet komunikimi me persona të tjerë”, REL për ‘arrestin shtëpiak’ të Berishës: 5 ditë kohë të apelojë appeared first on ALBUK UK NEWS.