Fëmijët jetimë që strehohen në Shtëpinë Rosalba në zonën e Lezhës janë surprizuar këto ditë nga skuadra Besëlidhja Basket. Ekipi i lojtarëve të basketbollit sëbashku me drejtuesit e klubit kanë organizuar një lojë basketbolli me të rinjtë të cilët strehohen në këtë qendër dhe në fund iu janë shpërndara disa dhurata për festat e fundvitit.
Presidenti i Besëlidhja Basket, Ylli Ujka, falënderoi stafin e shtëpisë Rosalba për përkushtimin dhe ndihmën që u jep fëmijëve jetimë dhe inkurajoi bizneset për të mbështetur këtë qendër dhe njerëzit në nevojë gjatë gjithë vitit.
“Jam shumë i lumtur që me djemtë energjik të Besëlidhja Basket ndodhemi në Casa Rosalba për t’iu gjendur pranë fëmijëve të kësaj qendre dhe për të ndarë me ta disa momente gëzimi. Mesazhi i fortë që na vjen nga këto engjëj është se pavarësisht ku gjendemi dhe nga pozitat ku jemi, duhet të jemi bashkë për të ndihmuar njëri – tjetrin. Dua t’i shpreh mirënjohjen edhe një grupi biznesmenësh lezhjan që iu përgjigjën mesazhit për të kontribuar sëbashku dhe arritëm të mblidhnim disa dhurime për njerëzit në nevojë. Talentet mund të fitojnë një lojë, por skuadra dhe inteligjenca mund të fitojë një kampionat. Bashkë mund t’i qëndrojmë më pranë këtyre njerëzve! Gëzuar festat!”, deklaroi Ylli Ujka.
Skuadra Besëlidhja Basket aktualisht kryeson tabelën e renditjes me 10 ndeshje të fituara nga po aq të zhvilluara, duke mbledhur 20 pikë për Kampionatin Kombëtar të Basketbollit.
The post Besëlidhja Basket surprizon fëmijët jetimë në shtëpinë Rosalba, Presidenti Ujka: Duhet të jemi bashkë për të ndihmuar njëri – tjetrin appeared first on ALBUK UK NEWS.