Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përmes një videomesazhi ka uruar të gjithë qytetarët, mjekët e infermierët për një vit të ri 2024 sa më të mbarë.
“Të dashur qytetarë, Të dashur mjekë, infermierë dhe ju të gjithë punonjës të sektorit të shëndetësisë Këtë mesazh urimi dëshiroj ta nis me një falenderim për ju, për sakrificat tuaja, për shembullin e vendosur, për diferencën që bëni çdo ditë. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu të gjithë ata mjekë e infermierë që do të kalojnë mbrëmjen e Vitit të Ri në detyrë për të garantuar shëndetin e të gjithë të tjerëve”, tha ajo.
“Falë formulës fituese shtet-qytetar-mjek vijuam në rrugën e transformimit të thellë të sektorit të Shëndetësisë në vitin që po lëmë pas. Mbetem besimplotë që e njëjta formulë do të bëjë një diferencë edhe më të madhe në 2024-n! Shumë punë na presin përpara! Viti i ri vjen jo vetëm me buxhetin më të madh, por edhe me ambiciet më të mëdha në historinë e MSHMS. Do të punojmë drejt objektivit tonë numër një, të rrisim mbulimin shëndetësor universal për qytetarin, duke reduktuar kostot dhe rritur më tej aksesin pranë vendbanimit”, tha Koçiu.
“Do të punojmë për fuqizimin e mëtejshëm të figurës së mjekut dhe të gjithë profesionistëve të shëndetësisë. Do të vijojmë me investimet transformuese në infrastrukturën shëndetësore”, vijoi Ministrja e Shëndetësisë.
“E mbi të gjitha, do vazhdojmë të mbështesim edhe më fort se më parë qytetarët në nevojë, gratë dhe nënat kryefamiljare, të papunët, fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta, jetimët dhe personat me aftësi të ndryshe. Zotimi ynë është një dhe i vetëm: Në Shqipërinë Europiane askush nuk do të jetë vetëm. Të dashur qytetarë Ju garantoj se ndiej çdo ditë, çdo orë, peshën e jashtëzakonshme të privilegjit dhe përgjegjësisë për detyrën që më është besuar. Ndaj, nuk do të rresht së punuari edhe më fort, për të bërë realitet sa më shpejt objektivat dhe ambiciet tona të përbashkëta Le të jetë viti 2024 viti i Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve. Së bashku, ia dalim! Gëzuar. Shëndet, mirësi, sukses!”, përfundon video mesazhin e saj Koçiu.
The post Koçiu uron shqiptarët e bluzat e bardha për vitin e ri 2024: Viti i ri vjen jo vetëm me buxhetin më të madh, por edhe me ambiciet më të mëdha në historinë e MSHMS appeared first on ALBUK UK NEWS.