Tablodi i njohur gjerman “BILD” i ka bërë jehonë arrestimit të liderit të opozitës shqiptare, Sali Berisha. Shkrimi është bërë nga gazetari, Peter Tiede, i njohur për publikimin pak vite më parë të përgjimeve të zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës dhe që shkaktuan tronditjen e politikës shqiptare. Tiede shkruan se ka arritur të kontaktojë Berishën nga arresti shtëpiak për ta pyetur rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri. Më poshtë shkrimi i tij i plotë.
A po ndërmerr papritur Shqipëria masa kundër korrupsionit apo dikush ka frikë nga plaku? Një tërmet politik po trondit aktualisht vendin. Dihet që politika në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri ndonjëherë mund të jetë e ashpër. Politikanët e korruptuar, votat e blera, paratë e drogës dhe mafias, skandalet e përgjimeve mes partive dhe ministrave që shkarkohen për shkak të kontakteve mafioze… Vështirë se ndonjë nga këto klishe mund lihet mënjanë. Por tani bastioni i kontrabandës së drogës në Evropë është në krye të të gjithave! Një konflikt politik që vazhdon prej vitesh mes kreut të qeverisë socialist Edi Rama (59 vjeç) dhe paraardhësit të tij, ish-presidentit konservator Sali Berisha (79 vjeç), po shkon drejt një kulmi të ri.
Berishës i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në Tiranë. Akuza: korrupsion dhe shpërdorim detyre. Më shumë se 15 vite më parë, ai mësohet se ka privatizuar një qendër sportive në favor të dhëndrit të tij (i cili është gjithashtu i arrestuar). Berishës aktualisht i lejohet të komunikojë vetëm me avokatët e tij dhe disa anëtarë të familjes. Fotoja kryesore tregon ish-kreun e qeverisë duke treguar me të dyja duart shenjën e fitores nga dritarja e banesës së tij në Tiranë.
Kjo situatë u parapri nga një betejë në gjykatë dhe në parlament. Pak para Krishtlindjeve, anëtarët e Partisë Demokratike të Berishës u përpoqën të pengonin një mbledhje (parlamenti) në të cilën 79-vjeçarit do t’i hiqej imuniteti. Ata madje kishin përdorur karriget për të ngritur barrikada dhe hodhën bomba tymuese!
Vetë Berisha flet për një fushatë hakmarrëse të Ramës. Ai thotë se dëshiron ta përjashtojë nga frika e humbjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare që po vijnë në Shqipëri në 2025-ën. Pavarësisht arrestimit dhe bllokimit të komunikimit, BILD arriti të komunikojë me Berishën në Tiranë. Ish-profesori i universitetit që e nxori Shqipërinë nga komunizmi i epokës së gurit pas 1991 thotë për BILD: “Ndihem shumë i motivuar për të udhëhequr një luftë të suksesshme kundër diktaturës së dytë në 32 vjet në vendin tim. Këtë herë është një shtet droge, një diktaturë mafioze.”
Berisha e konsideron Ramën personalisht përgjegjës për futjen e tij në listën e sanksioneve të SHBA-ve, me informacione të rreme dhe ryshfet. Rama e mohon këtë prej muajsh. Çështja është bërë objekt i një skandali korrupsioni në SHBA. Ish-shefi i FBI-së në New York thuhet se ka marrë para dhe një licencë nafte nga Tirana.
The post BILD për arrestimin e Berishës: Rama ka frikë nga 79-vjeçari? appeared first on ALBUK UK NEWS.