Bashkimi Evropian (BE) i ka hedhur poshtë të hënën pretendimet serbe se Perëndimi i nxiti protestat disa ditore në Serbi dhe se po tenton të ndërhyjë në procesin zgjedhor të Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha gjatë një konference për media në Bruksel se këto pretendime i ngjasojnë “narrativës ruse”.
“Ne i hedhim poshtë këto akuza, të cilat janë pa asnjë bazë. Janë krejtësisht akuza të rrejshme dhe janë të nxitura nga propaganda ruse me qëllim të pengimit të rrugës së Serbisë drejt BE-së”, tha Stano.
Politikanët në Serbi e kanë akuzuar Perëndimin se qëndron prapa protestave në Beograd kundër parregullsive të dyshuara në zgjedhjet e të muajit të kaluar.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ndër të tjera, pretendoi se protestat ishin “përpjekje për të destabilizuar Serbinë”.
Stano i bëri thirrje përsëri Serbisë ta shmangë retorikën e nxitur nga Rusia kundër BE-së.
“BE-ja ka qenë shumë e qartë, mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e luftës dhe agresionit së saj ndaj Ukrainës nuk është në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE. Blloku dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate, si në partnere të besueshme në mbrojtjen e parimeve të përbashkëta si vlerat, siguria dhe prosperiteti”, tha Stano.
Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila e shpalli fitoren në të gjitha nivelet.
SNS-ja dhe udhëheqësit shtetërorë i mohojnë këto akuza.
Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje autoriteteve në Serbi që t’i hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.
Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve në Serbi.
“Sa i përket zgjedhjeve në Serbi dhe asaj që pasoi pas tyre, BE ka bërë thirrje për të gjithë aktorët për qetësi dhe dialog. Ankesat për parregullsi zgjedhore duhet të hetohen në mënyrë të duhur dhe të adresohen. Kemi qenë të qartë se, përderisa vlen e drejta për protesta paqësore, dhuna nuk është zgjidhje dhe është e pa pranueshme. Veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit”, shtoi Stano.
The post BE: Pretendimet se Perëndimi nxiti protestat në Serbi, propagandë ruse appeared first on ALBUK UK NEWS.