Politikani opozitar serb, Nikolla Sandulloviç, është liruar të hënën nga paraburgimi në qytetin jugor të Serbisë, Nish, njoftoi avokati i tij mbrojtës, Çedomir Stojkoviq, duke shtuar se ky vendim u mor “pas trysnisë së shtuar” nga vendet e Perëndimit.
“Nikolla Sandulloviç sapo është liruar… për ta mbrojtur veten nga akuzat se kishte vendosur lule pranë varrit të një vajze shqiptare”, shkroi Stojkoviq në rrjetin social X.
Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin tha më 6 janar se Sandulloviçi ishte arrestuat me urdhër të tij, për shkak se kishte vendosur kurorë me lule në fshatin Prekaz të Skenderajt, ku forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke i vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë.
Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish kishte konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Sandulloviq ndodhej në paraburgim prej 5 janarit, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.
Më 2 janar, Sandulloviq e publikoi një video në rrjetin social X, ku ai shihej në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Stojkoviç e cilësoi vendimin e autoriteteve serbe për arrestimin e tij si të nxitur politikisht, i cili u krye “pasi ai u rrah”.
Ky vendim erdhi vetëm pak orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për lirimin e tij. Për arrestimin dhe dyshimet për keqtrajtimin e tij pati reagime edhe në Kosovë, me kryeministrin kosovar Albin Kurtin që tha se ndihej i “shqetësuar”.
“Kjo po ndodh pas kërkim faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë. Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që Qeveria serbe ua imponon qytetarëve të saj për guximin që ta pranojnë të vërtetën dhe të përpiqen për pajtim”, shkroi Kurti në një postim në rrjetet sociale më 5 janar.
Autoritetet serbe i kanë mohuar akuzat se Sandulloviçi ishte rrahur dhe keqtrajtuar gjatë arrestimit të tij më 3 janar.
Zyra e Prokurorisë Themelore në Beograd tha më 11 janar se me dëshmitë e mbledhura deri më tani “nuk ka tregues se ka prova bindëse dhe të qarta” se Sandulloviqi është keqtrajtuar.
Sandulloviq është president i Partisë Republikane që u themelua më 2015, por që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor për t’u futur në Parlamentin serb.
Ai ka një biografi kundërthënëse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe arrestimi i tij për “përhapje paniku” më 2020 gjatë pandemisë së koronavirusit.
Më 11 janar, the Guardian, tha se familja e Sandulloviqit, që pretendon se ai është rrahur nga policia sekrete serbe gjatë qëndrimit në paraburgim, ka thënë se ai ishte pjesërisht i paralizuar si rezultat i sulmit.
Ndërkaq, institucionet e Bashkimit Evropian konfirmuan më 9 janar se po monitorojnë situatën dhe informacionet lidhur me arrestimin e Sandulloviçit.
The post U dhunua dhe u arrestua pasi vizitoi varrin e Adem Jasharit, lirohet nga paraburgimi politikani serb appeared first on ALBUK UK NEWS.